E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO, fundi i tranzicionit shqiptar?”



Emra të njohur të politikës, përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore dhe akademike kanë debatuar sot lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe tranzicionin që shoqëron vendin tonë gjatë këtij procesi në panelin me temë “Anëtarësimi në NATO: fundi i tranzicionit shqiptar?". Të ftuar këtë tryezë, organizuar nga Qendra Kulturore Horizontet e Reja (QKHR), ishin Presidenti i nderit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, Bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Integrimin në NATO, Pandeli Majko dhe Ferdinand Xhaferraj si dhe zëvendës-rektori i Universiteti EPOKA, Ferdinand Gjana.
Lidhur me temën, në fjalën e tij zoti Godo u shpreh se përgjigja e saj gjendet brenda pyetjes. “Një vend anëtar në NATO nuk mund të vazhdojë në tranzicion. Shqipëria ka dhënë kontribut në këtë aleancë dhe besoj se e meritonte ftesën në Bukuresht”, vlerësoi ai. Sipas zoti Godo është pjesë e strategjisë së Aleancës që asnjë pëllëmbë në Evropë të mos mbetet jashtë ndikimit të saj. "Zgjerimi i NATO-s ka një rëndësi të veçantë. Ai hedh poshtë mundësinë e një lufte të tretë botërore, pasi vetë superfuqitë janë anëtare të kësaj aleance dhe janë të detyruara tu nënshtrohen kushteve të caktuara. I vetmi operacion i NATO-s është ai në Kosovë. Por me ndërhyrjen atje NATO bëri luftë për të shuar luftën”, nënvizoi ai.
Më tej, zoti Godo paraqiti si një problem kryesor të NATO-s të drejtën e vetos që ka çdo shtet anëtar. "Vendet e vogla si Mali i Zi, që mund të jetë anëtar, Shqipëria, Maqedonia etj. mund të hedhin poshtë vendimin e të gjithë anëtarëve të tjerë. Një pikë e rëndësishme e kësaj është vetoja e Sllovakisë apo shteteve të tjera që nuk kanë njohur Kosovën për dërgimin e trupave të NATO-s atje", theksoi ai.
Ndërsa, në fjalën e tij bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Integrimin në NATO, Pandeli Majko, u shpreh për një vullnet të qartë të politikës shqiptare për integrim dhe anëtarësimin e vendit në Aleanca të mëdha sikurse janë NATO dhe BE. Ai vlerësoi se Shqipëria që pas Luftës së Dytë Botërore, është konsideruar si një tokë asnjanëse, ajo ka qenë një vend i izoluar, por asnjëherë e ngacmuar.
Nga ana e tij bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Integrimin në NATO, Ferdinand Xhaferraj u shpreh se "me anëtarësimin në NATO Shqipëria zgjidh shumë çështje shumë të rëndësishme, ndër të cilat ajo e sigurisë". Sipas tij "me anëtarësimin në NATO, Shqipëria jep gjithashtu një sinjal më tepër për investimet e huaja".
Zoti Gjana si përfaqësues i elitës akademike në tryezë vlerësoi orientimin tërësisht proevropian të diplomacisë shqiptare në lidhje me anëtarësimin në NATO dhe BE. Sipas tij të gjitha qeveritë e Shqipërisë postkomuniste pa asnjë lloj luhatjeje kanë luajtur të njëjtën politikë lidhur me integrimin e vendit.
"Shqipëria ka dhënë kontribut ushtarak përkrah NATO-s dhe SHBA-ve në misione të ndryshme. Transformimi i NATO-s pas viteve '90 solli një politikë të favorshme për Shqipërinë", tha ai.
Ndërsa, në përgjigje të interesimit të pjesëmarrësve me strategjitë e politikës shqiptare pas NATO-s lidhur me ndikimin e Tiranës zyrtare në çështjen shqiptare, kryesisht atë çame zoti Godo tha se “kjo është një çështje që nuk duhet neglizhuar. Pavarësisht se pala greke e ka deklaruar si një çështje jo ekzistente në trojet çame jeton popullsi shqiptare që pret mbështetje nga Tirana zyrtare".
Zoti Gjana e vlerësoi çështjen çame si mjaft delikate. "Qeveritë shqiptare kurdo që të mendojnë lidhur me këtë çështje duhet të jenë të kujdesshme pasi përballë tyre do të kenë një shtet të fortë diplomatikisht si Greqia", vlerësoi ai.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›