BSH: Leku pritet të forcohet gjatë sezonit nga prurjet në valutë
Monedha vendase, leku pritet të forcohet edhe më tej në tre muajt e ardhshëm, për shkak të fillimit të sezonit turistik dhe prurjeve valutore në tregjet e këmbimit nga emigrantët shqiptarë. Duke filluar që në muajin qershor e deri në shtator, leku forcon pozitat në këmbim me euron dhe dollarin, pasi prurjet e emigrantëve kryesisht në euro rrisin kërkesën për monedhën vendase, e për rrjedhojë edhe vlerën e saj. Ndërkohë që monedha vendase leku edhe gjatë vitit 2008 ka qëndruar superiore ndaj valutave kryesore euros dhe dollarit, duke u bërë shkak për frenimin sado pak të çmimeve në rritje, si pasojë e ndikimit të bursave ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë në analizën e saj për kursin e këmbimit, vëren se gjatë muajve të parë të vitit 2008, ashtu si dhe në tremujorin e fundit të vitit 2007, ka vazhduar tendenca mbiçmuese e lekut kundrejt shportës së valutave, por me ritme të ulëta. Gjatë tremujorit, kursi real efektiv i këmbimit paraqet një rritje vjetore mesatarisht prej 4,5 pikë përqindjeje, ndërsa në të njëjtën periudhë, një vit më parë, ky tregues ka rezultuar 0,1 për qind. Sjellja mbiçmuese e lekut reflekton qëndrueshmërinë makroekonomike në vend, si dhe nivelet e krahasueshme të inflacionit me partnerët kryesore. Krahasuar me një vit më parë, pozitat e lekut janë forcuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj dollarit amerikan, mesatarisht 21 për qind, duke arritur në 78,29 lekë për USD në fund të periudhës. Gjithashtu, kursi mesatar i lekut ndaj euros për tremujorin e parë të vitit ishte 123.25 lekë/euro, duke u mbiçmuar me 0,49 për qind në terma vjetore. Ecuria e kursit të këmbimit në tremujorin e parë të vitit 2008, paraqet një luhatshmëri më të lartë se vitin e kaluar.
16 Qershor 2008