ǒrrënjosja e varfërisë është obligim, jo bamirësi
Mira Pirdeni*
Sigurimi i pjesëmarrjes së personave të moshuar në procesin e zhvillimit, bëhet pas reduktimit të varfërisë. Dy vjet pasi ASAG, filloi fushatën sensibilizuese të Dhjetorit 2006 “Varfëria, shkaku i vetëvrasjeve tek të moshuarit”, qeveria më datë 6 Dhjetor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, shqyrtoi një sërë vendimesh që synonin përmirësimin e kushteve në shtëpitë e të moshuarve dhe e konsideroi problemin e të moshuarve si një problem të rëndësishëm gjithnjë e në rritje, duke patur parasysh flukset e fuqishme të emigracionit dhe shtimin e të moshuarve të vetmuar. Por dhe sot diskriminimi moshor dhe pafuqishmëria ka bërë që abuzimi me të moshuarit të mbetet i fshehur. Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Abuzimit të Moshuarve, 15 Qershor 2008, synon: veprim mbi abuzimin ndaj të moshuarve (Action on elder abuse). I rëndësishëm është pranimi që qeveritë kanë përgjegjësinë kryesore për të udhëhequr problemet e moshimit. Si mund të ç’rrënjoset varfëria, kur situatat e të moshuarve në fushën ekonomike, shëndetësore, familjare dhe abuzimi mbeten të pandryshuara. Të moshuarit Shqiptarë kanë qenë të papërgatitur për situatat e reja, për të cilat shprehen shqetësimin e tyre dhe ndërkombëtarët duke i bërë thirrje qeverisë të vërë në zbatim strategjitë të cilat ende janë në letër. Madje Ambasadori Amerikan Xhon Withers kritikoi qeverinë shqiptare që nuk ka zbatuar asnjë strategji në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe fëmijëve gjë e cila ka tronditur edhe familjet e të moshuarve. Të moshuarit ndjehen të pafuqishëm në mbrojtjen e familjeve të tyre nga pasojat e trafikut. Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit të Moshuarve duhet të bëhet një faktor mobilizues për çështje të domosdoshme të shoqërisë, për të demonstruar solidaritetin në kërkesën tonë për standarde më të mira jetese dhe diskutimin për politikat e familjes. Komponenti më i rëndësishëm në një shoqëri është familja. Ne duhet të kërkojmë që shteti të marrë një rol aktiv, gjithëpërfshirës për mbrojtjen dhe mbështetjen e familjes në shkallë kombëtare dhe lokale. Ne shpresojmë që ky sensibilizim të përdoret për të reflektuar mbi statusin e familjes në komunitet, për mënyrën me të cilën mund të forcojmë familjen dhe të japim mbrojtje në secilën familje përsa i përket nevojave. Familja përfshin gjyshërit, të cilët kanë një vlerë për të shtuar, një dashuri pa kushte, eksperiencën, mbështetjen dhe dhënien e standardeve etike, morale dhe pasurojnë jetën e anëtareve më të rinj në familje. Shkathtësia e afruar është e dobishme për të shfrytëzuar rolin pozitiv të të moshuarve në çdo familje e komunitet nëpërmjet zgjerimit të statusit të tyre. Fraza më e fuqishme që themi është “shtëpia ime” këto duken dy fjalë të thjeshta por janë fjalët me emocionale që kemi thënë ndonjëherë - me përjashtimin e vetëm të mundshëm “të dua”. Familja është pjesë e identitetit tonë, është sensi i vendit dhe i përkatësisë tonë, i sigurisë dhe rehatisë tonë, për pavarësinë personale dhe angazhimin në jetën komunitare.
Të moshuarit janë të abuzuar thellësisht dhe nga sistemi i drejtësisë. ASAG ka bërë të njohur dhe në 8 Mars 2008, rastin e grave të burgosura viktima të paralajmëruara. Ndërsa aktualisht Prokuroria e Përgjithshme Tiranë nuk zbaton urdhrin e Gjykatës së Lartë, për të liruar 85 vjeçarin Malo Cela nga Vlora, i cili vuan dënimin, padrejtësisht në burgun e Krujës. Dhe ky nuk është i vetmi rast. Pra, kjo Ditë Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Abuzimit të Moshuarve është në mbështetje të “Deklaratës Politike & Planit Ndërkombëtar për Veprim mbi Moshimin” të Asamblesë së dytë Botërore mbi Moshimin, i cila njeh abuzimin ndaj të moshuarve si çështje të shëndetit publik dhe të drejtave të njeriut. Në këtë Ditë ne kërkojmë: Përmirësimin i cilësisë së jetës për personat e moshuar; Ne vijmë me një synim të të gjitha grupeve që merren me moshimin, në përgatitjen e Strategjisë/Planit Kombëtar mbi Moshimin, kuadrit ligjor dhe angazhimin e plotë të qeverisë. Është një moment i përshtatshëm për të deklaruar me vendosmëri vazhdimin e përpjekjeve tona drejt çrrënjosjes së varfërisë dhe përjashtimit social. Rëndësia e luftës kundër varfërisë nuk është vetëm për njerëzit të cilët e vuajnë atë , por është e rëndësishme për arritjen e një shoqërie të përshtatshme për të gjithë dhe se përgjegjësit politikë duhet të kuptojnë se nuk është vetëm një projekt ekonomik por në radhë të parë social.
*ASAG, Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat
16 Qershor 2008