Guardiola: Sistemi i ri funksionoi

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është i kënaqur me fitoren bindëse ndaj Villarrealit në ndeshjen e parë të sezonit në La Liga. Dy gola të Lionel Messit dhe nga një gol debutues në ligë për Cesc Fabregas dhe Alexis Sanchez, të shoqëruara nga një tjetër i Thiago Alcantara, i dhanë fitoren 5-0 kampionit të Spanjës në takimin e zhvilluar në Camp Nou.
Guadiola pati mungesa në mbrojtje me dy qendërmbrojtësit Gerard Pique dhe Carles Puyol të lënduar dhe mbrojtësin e djathtë Daniel Alves të suspenduar.
Por ai ndryshoi sistemin e tij nga 4-3-3 në 3-4-3, duke luajtur me Javier Mascherano, Sergio Busquets dhe Eric Abidal në mbrojtje.
“Ne kishim vetëm një mbrojtës të vërtetë dhe ideja ishte që ne të luajmë me topin nëpër fushë me shumë lojtarë në qendër të fushës. Pas Superkupave, kjo ishte një ndeshje e vështirë për të filluar sezonin dhe jemi shumë të kënaqur. Nëse do t`i kishim të gjithë lojtarët në dispozicion, ndoshta nuk do ta kishim ndryshuar sistemin”, ka thënë Guardiola