Mynihu pret Bajernin, kaput Real Madrid
Bajerni është finalisti i dytë i Kupës së Kampioneve dhe do të luajë gjithçka në shtëpinë e tij në Mynih ndaj Çelsit. Bavarezët eliminuan mbrëmë Realin e Madridit falë penalltive.
Nuk kanë mjaftuar 90 minuta lojë që të dilte finalisti i dytë i Kupës së Kampioneve. Madje, nuk mjaftuan as edhe 30 minuta të shtesave për të nxjerrë finalistin nëpërmjet fushës, pa u dashur që të shkohet te gjuajtjet e penalltive në superndeshjen e mbrëmjes së djeshme në Madrid. Duke qenë se në takimin e parë në Mynih ishin bavarezët që fituan 2-1, mbrëmë Reali iu fal dopietës së Ronaldos shënuar që në pjesë të parë, që të shpresonte fillimisht për finalen. Por në minutën e 27-të, ishte Roben ai që shënoi për Bajernin me anë të një penalltie, duke bërë që gjithçka të shkonte drejt baraspeshës. Në fraksionin e dytë të lojës duhet thënë se Bajerni luajti shumë më mirë sesa Reali, por sulmuesi i gjermanëve Mario Gomez humbi dy raste të pastra për shënim. Kjo bëri që ndeshja të shkonte drejt shtesave, me një Real që u duk sikur u ngjall në 15 minutat e shtesës së parë, pasi rrezikoi më shumë portën e Nojer dhe, me bavarezët që mundoheshin që të kontrollonin lojën, me qëllim që ta çonin drejt penalltive. Sakaq duhet thënë se te Bajerni u ndëshkuan me kartonë të verdhë Alaba, Badshtyber dhe Luiz Gustavo, të cilët për shkak se kishin marrë edhe kartonë në ndeshjet e mëparshme, nuk do të luajnë në finalen e Mynihut. Nuk rrezikoi askush te Reali, pasi edhe pse Pepe e Arbeloa u ndëshkuan me kartonë, as i pari dhe as i dyti nuk rrezikonin që të mungonin në finale. Pas 120 minutash lojë, të dyja skuadrat iu drejtuan pikës së bardhë të penalltisë, e cila në fakt rezultoi më fatlume për bavarezët. Për madrilenët gabuan Ronaldo, Kaka dhe Ramos, teksa shënoi vetëm Ksavi Alonso, ndërsa te bavarezët shënuan Alaba, Gomez dhe Shvainstaiger dhe gabuan Kros e Lahm.
Skeda
Real-Bajern 2-1; (1-3 me penallti)
Shënues: K.Ronaldo 6 (p), 14/ Roben 27 (p)
Penalltitë: Ronaldo (pret Nojer), Kaka (pret Nojer), Ksavi Alonso (gol), S.Ramos (jashtë)/ Alaba (gol), Gomez (gol), Kros (pret Kasijas), Lahm (pret Kasijas), Shvainstaiger (gol)
Kartonë të verdhë: Pepe, Arbeloa, Granero/ Alaba, Badshtyber, Luiz Gustavo
Real Madrid: Kasijas, Arbeloa, Pepe, S.Ramos, Marcelo, Kedira, Ksabi Alonso, Di Maria (Kaka 75), Ozil (Granero 110), Ronaldo, Benzema (Higuain 106). Trajner: Joso Mourinjo
Bajern: Nojer, Lahm, Boateng, Badstyber, Alaba, Luiz Gustavo, Shvainsteiger, Roben, Kros, Riberi (Myler 95), Gomez. Trajner: Jup Hejnkes