E Diel, 1 Nëntor 2026

Guardiola në hall, ka vetëm 12 lojtarë për Superkupën



Trajneri i Barcelonës Pep Guardiola vazhdon të kritikojë ashpër FIFA-n dhe Federatën Spanjolle të Futbollit për faktin se do zhvillojnë ndeshje miqësore më 11 gusht dhe mbi të gjitha, nuk i kanë kursyer lojtarët e rëndësishëm, duke i grumbulluar. Te Barcelona, pothuajse të gjithë titullarët janë të grumbulluar me përfaqësueset e tyre, duke bërë që të mos jenë të gatshëm për ndeshjen e parë me Seviljen, e vlefshme për Superkupën e Spanjës. Në një situatë të tillë, Guardiola do ketë në dispozicion për këtë ndeshje vetëm 12 futbollistë, duke përfituar nga disa lojtarë që ka lënë jashtë Del Boske me Spanjën. Gjithsesi, për të çuar numrin e lojtarëve në 12, përfshihen edhe futbollistë të rinj në moshë si Viktor Vaskez. “është e pabesueshme që FIFA po lejon një gjë të tillë. Ka shumë ndeshje të rëndësishme për disa klube afër datës së miqësoreve. Ne do luajmë Superkupën dhe unë nuk do arrij të drejtoj skuadrën në fushë. Thjesht do mundohem të plotësoj numrin e lojtarëve. Nëse dikush do dëmtohet, atëherë do jetë njësoj sikur të ketë dalë me karton të kuq, pasi nuk besoj se do kem zëvendësues”, tha Guardiola. Më pas, ai iu kundërvu Federatës së Spanjës: - “Duke qenë se ata e dinë më mirë se FIFA kalendarin tonë, duhet të ishin shumë të kuptueshëm. Sevilja nuk ka aq lojtarë sa ne në këto ndeshje dhe do jetë më në formë dhe më e favorizuar”, tha Guardiola. Klubi spanjoll i bëri një kërkesë edhe Federatës Argjentinase, për të lejuar që Mesi të luajë me Barçën dhe jo në miqësoren me Irlandën, por mori një përgjigje negative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›