Tomori merr pamje, premtohet Superiorja
Në Berat ka pasur festë dje, sepse Tomori, i cili është ngjitur sivjet në Kategorinë e Parë, ka marrë pamje dhe është formuar si një skuadër pretendente. Ka ndodhur kështu, teksa dje pasdite, në fushën e stadiumit, në prani të futbollistëve dhe tifozëve, është prezantuar presidenti Ali Dyrmishi dhe trajneri Ilir Gjyla. Në këtë prezantim ka marrë pjesë dhe kryebashkiaku Fadil Nasufi, të cilit i janë dashur disa negociata, që kanë zgjatur me ditë, për të bindur Ali Dyrmishin që të ishte presidenti i Tomorit. “Dhe pas bindjes për të marrë financimin e Tomorit, Dyrmishi ka nënshkruar dhe marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila garanton formimin e një skuadre dinjitoze dhe pretendente”, ka thënë gjatë prezantimit të presidentit të ri, kryebashkiaku Fadil Nasufi. Duke vazhduar më tej, kryebashkiaku Nasufi ka treguar se Tomori do të funksionojë si shoqëri aksionere, atje ku Bashkia e Beratit do të ketë 26 për qind të aksioneve, kurse Dyrmishi si president 74 për qind. Bashkë me presidentin e ri, kryebashkiaku Nasufi ka prezantuar dhe trajnerin Ilir Gjyla, me një përvojë të gjatë në futbollin shqiptar, teksa ka drejtuar disa skuadra. Kryebashkiaku Nasufi ka shprehur gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Tomorin, kurse presidenti Dyrmishi ka bërë premtimin e madh, që i ka entuziazmuar të gjithë në Berat, ngjitjen e skuadrës në Kategorinë Superiore. “Ne e kemi skuadrën të formuar, me 22 futbollistë, me të cilët janë lidhur dhe kontratat e bashkëpunimit. Duhet t’iu bëj të ditur dhe stafin teknik, që përbëhet nga trajneri Gjyla, ndihmësit e tij Theodhori Arbëri dhe Madrid Muzhaj, si dhe drejtor teknik Përparim Daiu. Duhet të keni të gjithë besim se, edhe pse koha është e shkurtër, ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për një përgatitje të mirë fizike dhe teknike. E jo vetëm kaq, por të gjithë së bashku duhet të bëjmë përpjekje maksimale për kthimin e Tomorit në Kategorinë Superiore”, ka thënë presidenti Dyrmishi, i cili kështu e kthen entuziasmin e munguar në Berat. Kishte kohë që kishte rënë pesimizmi, ndërsa një pjesë e mirë e lojtarëve kishin menduar dhe largimin. Por tani, me ardhjen e Dyrmishit president dhe të Gjylës trajner, Tomori do të jetë një skuadër e denjë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.