E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola nuk largohet në verë

Nga Express më 06 maj 2011 në ora 11:32

Pep Guardiola nuk do të largohet nga detyra e trajnerit të Barcelonës në fund të këtij sezoni, ka bërë të ditur menaxheri i tij, Jose Maria Orobitg.

Strategu i gjigantit katalan spekulohej se mund të braktisë klubin gjatë verës, ndërsa si destinacion i tij i mundshëm është përmendur Interi.

Mirëpo, Orobitg ka insistuar se klienti i tij do të respektojë kontratën me Barcelonën, që skadon në fund të sezonit të ardhshëm.

“Nuk ka asgjë, vetëm spekulime të medieve. Guardiola ka edhe një vit kontratë me Barcelonën dhe nuk dëshiron të ndërrojë skuadrën gjatë verës”, tha Orobitg për Calciomercato.it.

“Pep është person i sinqertë dhe gjithmonë i ka respektuar kontratat e tij. A i pëlqen të kthehet më Itali? Do të shohim se çka ndodh më 2012, por për momentin është e pakuptimtë të flasim rreth saj pasi i takon së ardhmes”, shtoi ai.

Orobitg refuzoi të komentojë polemikat e shkaktuara nga akuzat e trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, ndaj Barcelonës pas përballjes së tyre në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Nuk kam koment, këto gjëra i takojnë Barcelonës, unë e përfaqësoj vetëm Guardiolan”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›