Nuk jam Special One

Trajneri i Portos, Andre Villas-Boas, ka distancuar veten nga sugjerimet se është Jose Mourinho i ri. Villas-Boas ka udhëhequr Porton drejt titullit të kampionit në Portugali në sezonin e tij të parë të plotë në drejtim të ekipit.
Duke llogaritur depërtimin e Mourinhos nga Porto pas suksesit në Kupën UEFA 2003 dhe faktin se Villas-Boas ishte asistent i tij në tri klube të ndryshme, krahasimet janë të pashmangshme. Mirëpo, Villas-Boas beson se është më e rëndësishme që ai të jetë trajner në vete.
“Nuk jam rival me dikë që do të jetë trajneri më i mirë i të gjitha kohërave”, tha ai për Daily Telegraph. “Më duhet të distancoj veten sepse besoj se kam personalitetin tim dhe mënyra e punës time është krejt ndryshe, por njerëzit më lidhin me njërin prej trajnerëve më të mirë në botë dhe duhet të jetoj me këtë. Njerëzit mendojnë se jam i veçanti i ardhshëm. Por, jam një trajner i zakonshëm që përfiton nga ajo që ka futbollistë kulmorë dhe një ditë nuk do të përfitoj nga ky lloj i talentit. Nuk jam Special One. Ndoshta më vonë do të jem S**t One”, shtoi ai.
Villas-Boas u largua nga stafi teknik i Mourinhos në fillim të sezonit 2009-10 për të marrë drejtimin e Academicas.
“Nuk flas me Josen. Pas largimit ne kemi biseduar shpesh kur isha në Academica, por tani është pak më ndryshe. Është me rëndësi për mua të bëj një pushim. Ndieja se mund të jepja më tepër. Kjo ishte diçka që ndieja brenda vetes. E kuptoj plotësisht pozitën që kisha atëherë. Secili e ka pozitën e vet dhe isha me fat që isha i përfshirë dhe i suksesshëm, ndërsa gjithmonë kam qenë shumë profesional, por kisha shumë më tepër për të dhënë dhe ndjeva nxitjen e fillimit të karrierës si trajner. Është dashur të marr vendimin tim”, vazhdoi ai.
Villas-Boas spekulohet se kërkohet nga disa prej klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Romën dhe Juventusin.
“Kushdo rreth botës që është i suksesshëm, gjeneron interesim. Por, nuk më pëlqen të hyjmë në gënjeshtra dhe kjo është diçka që ndodh në Itali, për shembull, ku raportohej se i kam thënë një drejtori të Romës se nuk do të shkoj në Romë sepse do të kaloj në Liverpool dhe se Jose më ka thënë të shkoj në Premierligë në vend se në Serie A. Kjo është diçka që përgatitet dhe shitet si tregim i vërtetë. Spekulimet janë në rregull, por gënjeshtrat jo”, shpjegoi ai.
Pas angazhimit të mëparshëm në Chelsea, Villas-Boas bëri pak për të mohuar spekulimet rreth rikthimit të mundshëm në Stamford Bridge, edhe pse ishte shkarkuar së bashku me Mourinhon më 2007. I pyetur nëse Roman Abramovich kishte bërë gabim, ai tha: “Jo, jo. Jo. Nuk mendoj se bëri gabim. Një sezon më parë Jose fitoi FA Cup Carling Cup dhe shkoi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe u mposht në penallti nga Liverpool. Ishte ky një sezon kur kishim shumë lëndime. Londra është një qytet ku jetohet në mënyrë të përkryer. Kemi kaluar mirë atje dhe njerëzit në klub janë të shkëlqyeshëm, nga futbollistët, stafi dhe pronari”, përfundoi Villas-Boas.