Man Utd s’ka frikë

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, u ka thënë futbollistëve të tij se nuk kanë nevojë të frikësohen nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve më 28 maj.
Djajtë e Kuq mposhtën skuadrën gjermane Schalke 04 me rezultat të përgjithshëm 6-1, duke siguruar kalimin në Wembley kundër ekipit që i kishte mposhtur ata në finalen e vitit 2009.
“Nuk mendoj se duhet të shkojmë atje me mungesë të vetëbesimit”, tha Ferguson për mediet angleze. “Ne do të takohemi me një skuadër fantastike, por nuk duhet të kemi frikë nga ta. Forma e tyre e mirë mund të shihet nga të gjithë. Por, është detyrë e jona të gjejmë një zgjidhje”, shtoi ai.
Barcelona mposhti rivalin e saj të përhershëm Real Madridin me rezultat të përgjithshëm 3-1, duke siguruar kalimin në Wembley, pas një përballjeje të tensionuar gjysmëfinale kundër gjigantit madrilen. Por, Ferguson planifikon të flasë me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, në kërkim të hakmarrjes për humbjen e tij 2-0 nga Barcelona në finalen e vitit 2009 në Romë.
“Flas me të (Mourinhon) mjaft shpesh. Kam biseduar me të edhe javën e kaluar. Mendoj se do të mbështetemi te njohuria jonë që kemi për Barcelonën. Nuk është sikur ne nuk i kemi parë ata më herët. I kemi përcjellë shumë herë këtë sezon. Por, përvoja që ka Real Madridi nga këndvështrimi i Joses është gjithmonë informacion i dobishëm”, u shpreh skocezi.
I pyetur nëse do të kishte zgjedhur të luante me Barcelonën për hakmarrje, Ferguson u përgjigj: “Do të kisha zgjedhur Brechin City (skuadër nga divizioni i dytë i kampionatit skocez) ose ndonjë ekip të tillë. Pa dashur të tregoj mungesë respekti ndaj Brechin City, më pëlqen ai klub. Mendoj se do të përgatitemi mirë për atë ndeshje (finale)”.
Ndërsa portieri Edwin van der Sar është shprehur i lumtur me kualifikimin në finale të Ligës së Kampionëve. Veterani holandez – i cili do të pensionohet në fund të këtij sezoni – ka pranuar se skuadra e tij do ta ketë vështirë kundër Barcelonës, por synon të tregojë se ata kanë marrë mësim nga humbja e finales së vitit 2009.
“Ishte një mbrëmje e përkryer. Pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë kemi ditur të administrojmë mirë ndeshjen e kthimit, duke ua pamundësuar një rikthim eventual. Tani do të takohemi me Barcelonën. Ata janë ekip i shkëlqyeshëm, që luan futboll të mirë. Do të jetë vështirë. Por, duhet të dëshmojmë se kemi marrë mësim nga viti 2009. Tani jemi më të gatshëm”, deklaroi Van der Saar.