Gjysma e Kombëtares kineze, nën hetim
Futbolli kinez dridhet. Hetimi më i madh sportiv i ndërmarrë ndonjëherë në vendin aziatik po nxjerr në dritë vite të tëra të mbushura me mashtrime. Gjatë javëve të fundit, mbi 100 persona, drejtues klubesh, menaxherë, lojtarë, gjyqtarë dhe funksionarë të lartë të federatës kanë përfunduar nën hetim gjyqësor. Të martën u arrestuan 16 njerëz të botës së topit, e mes tyre kishte edhe trajnerë e drejtues të kategorisë së parë. Situata është alarmuese: rezultate të manipuluara të ndeshjeve, baste klandestine, arbitra të korruptuar dhe lojtarë që paguheshin për të humbur ndeshjet. Skandali ka përfshirë të gjitha nivelet e futbollit kinez, nga kampionatet amatore, e deri në elitë. Gjatë mbrëmjes së të martës u trondit edhe përfaqësuesja. Gjashtë lojtarë të Kombëtares kineze u shoqëruan nga policia, vetëm pak orë pasi luajtën në ndeshjen kundër Libanit, të vlefshme për Kupën e Azisë 2011.