E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guerilasit mediatikë, në sulm kundër të mëdhenjve e të padrejtëve

Është mëngjes dhjetori në Paris, nuk ka vajtur ende ora tetë. Një kameraman ndjek me nxitim një burrë teksa hyn me shpejtësi në studiot televizive të BBC-së. Burri është veshur me kostum e kravatë - në dorë shtrëngon një tufë letrash, të cilave edhe vetë duket se nuk u beson shumë.

Pas pak, do t‘u thotë miliona telespektatorëve se pranon përgjegjësinë për rrjedhjen katastrofike të gazit helmues në Bhopal të Indisë, në vitin 1984 dhe se dëmshpërblimi prej 12 miliardë dollarësh është tashmë gati t‘u shpërndahet viktimave. Është përvjetori i njëzetë i aksidentit, ku gjetën vdekjen mijëra njerëz, ndërkohë që mijëra të tjerë vuajnë pasojat e kësaj dite.

Telespektatorët e BBC-së duhet të besojnë se njeriu flet në emër të "Dow Chemical", një prej kompanive të prodhimeve të kimikateve më të mëdha në botë dhe të shoqërisë "Union Carbide", e cila menaxhonte fabrikën ku ndodhi aksidenti i rëndë. Në fakt, zotëria me shprehje të rëndë, nuk është aspak një zëdhënës i "Dow Chemical", i quajtur Xhud Finistera, siç thotë. Quhet Endi Biçlbaum dhe është kthyer në numrin një të gueriljes mediatike, përmes së cilës, aktivistët kërkojnë të vënë në vëmendje të opinionit publik padrejtësitë që u bëhen njerëzve. Sigurisht që shfaqja në rrjetin BBC nuk u bë në dhjetorin e këtij viti, por në 2004-ën, por, që prej asaj kohe, Biçlbaum dhe partneri i tij, Maik Bonano, që të dy artistë nga Nju Jorku, janë kthyer në yjet e skenës së aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Bonano e nisi këtë aktivitet duke u hequr pjesët e brendshme elektronike kukullave Barbi dhe ushtarëve lodër - fëmijët habiteshin kur një zë brenda këtyre lodrave u thoshte "shkojmë të psonisim bashkë". Ishin hapat e parë modestë të një gueriljeje mediatike, në emër të të gjithë atyre që nuk u dëgjohet zëri që tashmë ka tërhequr vëmendjen e së gjithë botës.

Shkatërrimi i fushatave reklamuese

Dy të rinjtë e quajnë veten "Yes Men" ("Njerëzit Po") dhe po kthehen gjithnjë e më shumë në një kërcënim të vërtetë për kompanitë dhe institucionet me peshë. Me fushatat pa shumë shpenzime mediatike (por nga ana tjetër tepër të frytshme), dy artistët janë në gjendje të shkatërrojnë brenda pak sekondave një imazh që profesionistëve të marketingut e të marrëdhënieve publike u është dashur vite të krijojnë (edhe miliona euro e dollarë).

"Korrektim identi" e quan dyshja këtë strategji, që u ka hapur shumë punë kompanive të mëdha. Synimi i tyre është i qartë: t‘u hedhin shkopinj në rrota bizneseve që përdorin metoda e mjete të pandershme. Sajesat e tyre më të mira tashmë mund të shihen në filmin "Njerëzit po rregullojnë botën", i cili u shfaq në Festivalin e Filmit të Berlinit javën e kaluar. Si edhe filmi i tyre i parë, i titulluar thjesht "Njerëzit Po", është një lloj homazhi për guerilasit antimarketing.

Biçlbaum dhe Bonano kanë shkuar vetë në Berlin për të paraqitur filmin në Festival. Në të janë përmbledhur rrengjet më të fundit që kanë sajuar. Mëngjesin e 12 nëntorit të shkuar, mijëra amerikanë shqyen sytë të habitur kur panë se në faqen e parë të së përditshmes "The Neë York Times" shkruhej se lufta në Irak kishte përfunduar dhe se trupat po tërhiqeshin. Vetëm pasi e panë me më shumë vëmendje gazetën që mbanin në duar, kuptuan se bëhej fjalë për ndonjë sajesë. Gazeta, e shpërndarë pa pagesë, mbante datën 4 korrik 2009 dhe në të ishte shkruar me germa të dukshme slogani, "Të gjitha lajmet që do donim të dëgjonim". Në atë gazetë të stisur gjendej edhe përgëzimi i bërë me këtë rast nga gjigantja e tregtimit të naftës, "Shell", sipas së cilës "edhe paqja mund të garantojë fitime". Çfarë nuk qe shkruar në atë gazetë. "Një përzierje çudish e kaosi", e quan Biçlbaum.

Ai tregon se dita e publikimit ishte shtyrë disa herë, pjesërisht për shkak se 9 mijë dollarët e nevojshëm u grumbulluan pak nga pak falë donacioneve. Përveç kësaj, dy prej shtypshkronjave që kishin marrë fillimisht përsipër shtypjen e numrit u tërhoqën në çastin e fundit.

Në vitin 1999, dy artistët krijuan një sit të rremë në internet të Organizatës Botërore të Tregtisë, i cili nisi të binte në sy e të klikohej vetëm pas shumë muajsh. Por kur erdhi dita, gjërat u zhvilluan me madhështi. Nga një konferencë e rëndësishme në Strasburg, në sit mbërriti kërkesa që të merrte pjesë si i ftuar nderi drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate, Maik Mur. Në vend të tij, u dërgua njëfarë doktor Andrea Biçbauler. Pa asnjë protestë nga audienca, ai shpjegoi ç‘duhej bërë për të shitur votat dhe lëvdoi politikat ekonomike të Adolf Hitlerit.

Groteske

Duke parë atë që bën aktualisht, duket disi ironike që Biçlbaun u përjashtua nga grupi teatror i universitetit për mungesë talenti. Megjithatë, përpiqet t‘i kompensojë aftësitë e kufizuara autoriale me tabela apo përpunime kompjuterike, që nuk lënë dyshime te të pranishmit, duke i bërë të kuptojnë se mund të gjenden para ndonjë rrengu. Siç ishte rasti i një takimi ku u hoq si përfaqësues i Organizatës Botërore të Tregtisë përpara një grupi prodhuesish tekstilesh në qytetin finlandez Tampere.

Fjalimi i tij arriti pikën kulmore me thirrjen për monitorimin e pandërprerë të punëtorëve. Për të ilustruar atë që donte të thoshte, asistenti i tij hoqi kostumin, duke nxjerrë në pah një palë kominoshe të lara në ar, ku binte në sy një penis gjigant në të cilin qe montuar një pajisje monitorimi.

Të tilla gjëra mund të konsiderohen mashtrim dhe ndodh jo rrallë herë të përfundojnë në skedarët e policisë. Në fakt, Bonano pranon se është i habitur që kjo ka ndodhur kaq rrallë. Pasi, për shembull, në Finlandë, të dy u duartrokitën për prezantimin para bosëve të industrisë së tekstileve. Në vend të shqyejnë sytë nga ato çfarë shohin, tregon Biçlbaum, shpesh na kërkojnë kartëvizitat. Dhe në ato raste kur zbulohen, fjala përhapet me aq shpejtësi në internet, sa kompanitë nuk guxojnë t‘i padisin në gjykata.

Në rastin e lojës me kompaninë "Dow Chemical", sajesa u zbulua që pas dy orësh. BBC e ftoi Biçlbaumin në studio, ku iu desh të pranonte lojën, por sqaroi se në fakt mashtrimi ishte nisur nga "Dow Chemical" dhe jo nga ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›