Gurakuqi: PDK përkrah PD, në zgjedhjet e 28 qershorit
Partia Demokristiane e Shqipërisë ka shprehur bindjen se në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të jetë pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike. Sipas kreut të PDK-së, Anton Gurakuqi ky vendim i PDK është në përputhje të plotë me vullnetin e mijëra demokristianëve shqiptarë, të cilët kanë qenë, janë dhe do të jenë mbështetës të koalicionit të qendrës së djathtë.
Ne jemi shprehur të hapur për çdo formë bashkëpunimi me Partinë Demokratike, me synimin dhe qëllimin e vetëm maksimalizimin e fitores së koalicionit të djathtë në zgjedhje, pasi gjykojmë se kjo është rruga e duhur për vazhdimin dhe thellimin e reformave, që do të bëjnë të mundur bërjen realitet të ëndrrës së shqiptarëve, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka theksuar ai duke veçuar se në anën tjetër, demokristianët shqiptarë kanë marrë një vendim të rëndësishëm se nuk pranojnë kurrsesi të bëhen pjesë apo të mbështesin subjekte politike kioska, që kanë vetëm një anëtar, kryetarin e partisë. Në lidhje me anëtarësimin në NATO, ai ka theksuar se ky anëtarësim nuk është një dhuratë e pamerituar që i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve, por është rezultat i reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria. Në këto 4 vjet, qeverisja e koalicionit të djathtë, ku bën pjesë edhe PDK, ka provuar se paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk përfundojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar, por ato kthehen në investime gjigande, në shkolla dhe kopshte për fëmijët tanë, në përmirësimin e infrastrukturës, në rritje pagash dhe pensionesh, ka theksuar ai. Gjatë takimit të zhvilluar me strukturat e PDK- së, në Pogradec, Gurakuqi ka kërkuar dhënien fund të imoralitetit politik duke shprehur bindjen se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë ndëshkimi më i merituar për ata politikanë që kanë frikë dhe ndjejnë makth për të artikuluar arritjet.