TIA e shqetësuar për vonesat e partive në shpalljen e emrave të kandidatëve për deputet
Transparency International shpreh shqetësimin për vonesat e partive në shpalljen e emrave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dy muaj e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit shumica e partive politike shqiptare ende nuk kanë bërë të njohur për votuesit e tyre kandidatët për deputetë. Në një reagim të saj lidhur me këtë, organizata Transparency International këto vonesa i konsideron shqetësuese.
Publikimi në limitin ligjor, jo vetëm nuk i kontribuon transparencës para publikut, por mund të përbëjë rrezik për dobësimin e demokracive, vëren kjo organizatë. Sipas drejtuesve të saj, forcat politike shqiptare duhet t'i paraqesin sa më shpejt publikut emrat dhe CV-të e kandidatëve për deputetë në mënyrë që votuesit, por edhe mbarë opinioni t'i njoh sa më mirë. Ata thonë se ndryshe nga sistemi maxhoritar i korrektuar, sistemi i ri zgjedhor, ai proporcional rajonal, nuk jep shumë mundësi për njohje. Kohët e fundit ka pasur mjaftë polemika midis forcave politike për këtë çështje. Veçanërisht dy partitë e mëdha akuzuan njëra-tjetrën dhe sidomos liderët e tyre Berisha dhe Rama se po përpiqen të përfitojnë në procesin e hartimit të listave të deputetëve duke vënë përkrahës të tyre.