Ceka: Aleanca me PD, për një qeverisje sa më efektive
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, bashkëpunimin me Partinë Demokratike për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, e sheh si një interes për një qeverisje sa më efektive. Gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në pallatin e Kulturës në Korçë, Ceka nuk e konsideroi ndonjë tradhti kombëtare, aleancën me Partinë Demokratike, por të diktuar nga Kodi Zgjedhor, për marrjen e votave dhe për një qeverisje sa më efektive për vendin.
Duke u ndalur në aleancën me Partinë Demokratike dhe forcat e djathta politike, Ceka vuri në dukje si dy arritje kryesore të qeverisjes së PD investimet dhe kontrollin e elektoratit mbi pushtetin. Populli shqiptar ka dalë tashmë nga fanatizmi politik dhe është futur në kontrollin e pushtetit të tij qeverisës. Këto zgjedhje do të forcojnë kontrollin e elektoratit mbi pushtetin, një arritje kjo e katër viteve të fundit, u shpreh kreu i PAD- së, Neritan Ceka. Ai shtoi se me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka filluar një periudhë e re e shoqërisë shqiptare edhe përsa i përket investimeve të fuqishme që po japin rezultate.