PDK prezanton dy përfaqësues rom si kandidatë për deputet
Meleqe Renja, kryetare e shoqatës Gruaja rome e së nesërmes dhe Ibrahim Likzelia, nënkryetar i shoqatës rome Zemra e Nënës, janë dy përfaqësues rom, të cilët janë përzgjedhur nga demokristianët si kandidatë potencial, me të cilët ajo do të përfaqësohet përpara votuesve të këtij komuniteti në Tiranë. Kryetari i demokristianëve, Ndoka vlerësoi se kjo përzgjedhje ka të bëjë me rritjen e vëmendjes së munguar deri më tani nga politika kundrejt komunitetit rom.
Sipas tij, ky bashkëpunim konstaton një aksion dhe strategji efektive elektorale, në dhënien e hapësirave dhe suportit të kandidatëve për të realizuar përfaqësimin politik në parlamentin e ardhshëm. Fatkeqësisht më duhet të deklaroj se qeveritë shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve kanë bërë pak ose aspak për këtë komunitet, ku përveç indiferencës në mjaft raste janë shfaqur edhe qëndrime diskriminuese, përbuzëse, që kanë penguar integrimin e tyre real në shoqëri. Ne nuk mund të qeverisemi më me shtete klanore, me shtete fisnorë që nuk u shërbejnë qytetarëve, po kryetarëve të partive fis, të partive klan, është shprehur Ndoka. Duke vlerësuar kryerjen e këtij misioni fisnik, Ndoka vuri në dukje përfshirja reale të këtyre njerëzve në regjistrin themeltar të shtetasve, si dhe pajisjen falas me karta identiteti. Gjatë një deklarate për shtyp, kreu i PDK- së, Ndoka ka theksuar se demagogjia e mazhorancës qeverisës në këtë fund mandati, nuk i shërben këtij procesi dhe nuk i siguron këtij komuniteti përfaqësimin e merituar në politikë dhe në vendimmarrje. Ndër të tjera, ai veçoi faktin se PDK, do të mbetet e hapur dhe për individë, shoqata, organizata të tjera politike apo të shoqërisë civile, për ti dhënë një dimension të ri koalicionit Poli i Lirisë, që sipas tij do të jetë një koalicion për shtetin ligjor që garanton pronën, barazinë e qytetarëve para ligjit dhe mundësi e shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht përkatësisë racore, ngjyrës, bindje politike etj.