Meta: Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, sfidë për Shqipërinë
Lideri i LSI, Ilir Meta gjatë vizitës së zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me Temë: Duke përfunduar misionin e Amerikës në Ballkan, në drejtimin e Drejtorit te saj, Janush Bugajski.
Kreu i LSI, vuri në dukje, faktin se Shqipëria ka si sfidë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të merituar statusin e saj si vend anëtar i NATO-s. Ndër të tjera, ai vlerësoi angazhimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe veçanërisht së fundmi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ky proces duhet të vazhdojë me anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit. Por, rajoni nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi i sigurisë. Janë standardet demokratike, forcimi i institucioneve demokratike, respekti për minoritetet dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm ato që garantojnë paqen dhe sigurinë e qëndrueshme, ka vijuar Meta. Më tej ai ka theksuar se angazhimi amerikan në rajon duhet të vazhdojë edhe në drejtim të zhvillimit të tij ekonomik, në rritjen e bashkëpunimit dhe ndërvarësisë midis vendeve, sidomos përsa i përket projekteve në fushën e energjisë.