E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Imuniteti i Mediut? Topalli është nën presionin e Berishës"

Socialistët pretendojnë se kryeparlamentarja Jozefina Topalli është nën presionin e fortë të Kryeministrit Sali Berisha. Kërkesa për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sipas Erion Braçes po pengohet edhe nga një lob gjithnjë e më i korruptuar brenda Partisë Demokratike. "Kemi dy procedua të iniciuara nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës dhe Gjykata e Lartë e këtij vendi, për të vënë në hetim penal e gjykim dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë", sqaroi Braçe. Sipas tij, Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk është distancuar nga krimi shtetëror i Gërdecit, jo vetëm nuk ka dënuar korrupsionin që ushqeu mafien shtetërore në Gërdec, por është kthyer në faktorin kryesor për të bllokuar një iniciativë të grupit më të madh të opozitës. Nismë që është raporti me shkrim dhe më pas debati me atë çka opozita e cilëson kryepërgjegjës të krimit shtetëror, Kryeministrin Sali Berisha. Braçe sqaroi se Kuvendi është bërë faktori kryesor për të bllokuar së fundi edhe Prokuroren e Përgjithshme në thellimin e hetimeve për të ndëshkuar kriminelët, pavarësisht statusit të tyre politik. "Ne i kërkojmë sot Kryetares së Kuvendit të çlirojë menjëherë procedurën dhe të mos fshihet pas korrespondencave banale të kërkuara nga deputetë bllokues", theksoi Braçe. Kreu i akuzës, shtoi ai, duhet të mos bjerë pre e absurdit të burokracisë së qëllimshme e të dërgojë sa më parë dokumentet që shoqërojnë kërkesën e saj për hetim penal ndaj përgjegjësve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Braçe kujtoi edhe kërkesën e Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. "Bëhet fjalë për ministrin e Jashtëm, Basha, deklaratat e tij shumë të sigurta, por jo vetëm të tij, të klasifikuara si shpifje nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, në dëm të liderit të opozitës, Edi Rama", nënvizoi Braçe. Ai konstatoi se kjo gjykatë ka arritur në konkluzionin se ministri Basha dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të shpifjes e për këtë duhet gjykuar. "Siç ju e dini, shpifja nuk futet në grupin e fjalëve për të cilat deputetët nuk mbajnë përgjegjësi. Pra, për shpifje deputetët janë të përgjegjshëm", tha Braçe. Duke shtuar se që prej 15 janarit ky vendim i Gjykatës së Lartë së bashku me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Lulëzim Basha, për veprën penale të shpifjes dhe gjykimit të kësaj vepre penale është në Kuvendin e Shqipërisë, është depozituar në protokollin e saj. "Por për fat të keq, në mënyrë të qëllimtë, kjo kërkesë bllokohet nga Kryetarja e Kuvendit, e cila ka detyrimin kushtetues të njoftojë Kuvendin në seancën më të parë, pra që në janarin e largët dhe të iniciojë procedurën në një këshill që drejtohet ekskluzivisht nga vetë ajo", këmbënguli Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist citoi deklaratën e Bashës ndërsa ka thënë se "është vënë në dijeni nga shërbimet e huaja se lideri i opozitës, ka jashtë vendit llogari bankare në 80 milionë euro etj". Braçe i kërkoi urgjentisht Kryetares së Kuvendit të njoftojë urgjentisht menjëherë Kuvendin lidhur me kërkesën e Gjykatës së Lartë dhe natyrisht të iniciojë procedurat e domosdoshme për heqjen e imunitetit, në Këshillin që ajo vetë drejton.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›