E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të dalim nga llogoret ku na ka ndarë politika

Rrugëtimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama në "Dialogun me Shqipërinë", ka vijuar dje në Divjakë. "Nuk është e thënë që ju të bëheni politikanë, as që ju të merreni me politikë, siç merren politikanët", iu drejtua Rama të rinjve. Sipas tij, ata duhet të kuptojnë se duke qenë aktivë, duke u bashkuar me njëri-tjetrin për ëndrrat, dëshirat, ambiciet dhe interesat e tyre, duke e kuptuar politikën jo si profesion, atëherë realisht gjërat mund të ndryshojnë. Rama këmbënguli se është koha që t‘i jepet njëri- tjetrit, t‘i jepet shoqes dhe shokut në shtëpinë përballë, në fshatin apo qytetin ku jetojmë, dora e një solidariteti të ri. "Sepse të gjitha ato probleme që ju hasni sot, në shkollë, në rrugë, në familjet tuaja, nuk mund të zgjidhen pa ju. Janë probleme që nuk mund të zgjidhen pa pjesëmarrjen tuaj", theksoi Rama. Ndërsa shtoi se është koha që të gjithë së bashku t‘i japim jetë një politike të re, e cila është politika e qytetarëve, jo e politikanëve, e cila është politika e jetës së përditshme, jo ajo e mbyllur në kutinë e televizorit. "Është koha që t‘i japim jetë një politike të re, ku çdo i ri dhe e re, të ketë mundësi të dëgjohet, të ketë mundësi të ndikojë, duke qenë pjesë e një rrjeti solidariteti", nënvizoi Rama. Diçka, që sipas tij, duhet ndërtuar dita-ditës, jo në emër të flamujve të partive, as në emër të së majtës apo të së djathtës, por në emër të domosdoshmërisë. PS, siguroi Rama, kërkon të ndërtojë një politikë, e cila t‘i japë çdo fëmije, në qytet dhe fshat, mundësinë që të shkojë në shkollë, që të ketë libra dhe mësues të denjë dhe që të ketë përpara një rrugë me plot mundësi. "Kjo është e mundur në rast se ne braktisim llogoret e indiferencës, braktisim llogoret e skepticizmit, braktisim llogoret ku na kanë detyruar të gjithëve të futemi në një politikë që për 17 vjet flet me vete dhe për vete dhe jo me ne dhe për ne", vlerësoi kreu socialist. Rama ftoi të gjithë të dalin nga këto llogore, ku kjo politikë e vjetër, na ka ndarë, na ka përçarë, na ka izoluar, duke bërë shpeshherë që padrejtësisht mes të rejash dhe të rinjsh të qëndrojnë muret e paragjykimeve që vijnë nga origjina e familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›