Kalimi pa pasaporta afron më shumë kosovarë
Kosovarët pritet të jenë përsëri kontingjenti më i madh i turistëve "të huaj" në Shqipëri. Shtypi i Prishtinës i bëri dje jehonë të madhe hapjes së sezonit turistik në Shqipëri dhe mundësisë së kalimit të kufirit pa pasaportë, vetëm me një dokument identifikues, duke filluar nga 1 maji deri më 31 tetor. "Nga 1 maji ka filluar sezoni i ri turistik në Shqipëri. Kalimi i kufirit bëhet vetëm me një dokument identifikimi", ishte një nga titujt kryesorë të shumë gazetave kosovare sot. Gazetat kosovare, duke iu referuar njoftimit të ambasadës shqiptare në Prishtinë, theksojnë se për këtë sezon të ri turistik janë marrë masa të shumta për të pritur sa më mirë të gjithë vizitorët. "Qeveria e Shqipërisë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, si Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, Ministria e Brendshme, Ministria e Transportit etj., në koordinim edhe me sektorin privat të turizmit, janë të angazhuara për realizimin e një standardi evropian për turistët që do të vizitojnë Shqipërinë për këtë periudhë", shkruajnë gazetat.