E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurakuqi kundër Ndokës: Të japë dorëheqjen

Të gjithë kundër Nard Ndokës. Vazhdon pa asnjë ndalesë goditja me breshëri brenda PDK-së për largimin e kryetarit të partisë. Pas ish-kreut të grupit parlamentar demokristian, janë shtuar edhe zërat nga brenda qeverisë që kërkojnë largimin e Ndokës nga partia. "Kryetari Ndoka tregoi paaftësi dhe performancë të dobët në drejtimin e PDK-së. Gjithashtu Ndoka ka shkelur edhe statutin e partisë dhe për këtë duhet të japë dorëheqjen", u shpreh zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Gurakuqi. Akuzat e deputetëve demokristianë dhe anëtarëve të Kryesisë së PDK-së kanë ardhur si pasojë e konflikteve të brendshme brenda Partisë Demokristiane.

Gurakuqi përfaqëson Partinë Demokristiane në kabinetin qeveritar në rang zv/ministrash. Po kështu, kundër vendimeve të kryetarit Ndoka është shprehur edhe zv/ministri i Integrimit, Zef Bushati. Ujërat brenda PDK-së do të vazhdojnë të jenë të turbullta edhe për disa ditë deri në kthimin e kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka në Shqipëri, pas vizitave të tij në Skoci dhe Britaninë e Madhe. Kërkesa për shkarkimin e Ujkës dhe emërimin e Ndue Shpanit në vend të tij është paraqitur në zyrën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, pa iu bërë i ditur më parë ky qëndrim i PDK-së, Pashk Ujkës. Ujërat brenda partisë aleate të Berishës janë trazuar fuqishëm ditët e fundit. Vota e "heshtur" e kreut të demokristianëve gjatë votimit të ndryshimeve kushtetuese, ku Ndoka nuk ka marrë pjesë në votim tregon një marrëdhënie të ngrirë mes kreut të qeverisë dhe aleatit të tij të Partisë Demokristiane. Me gjithë deklaratat e Ujkës, reagimi i ministrit Ndoka pritet të bëhet menjëherë sapo ai të kthehet nga turi i vizitave që ka nisur në Skoci. Duket se gjithë këtë trazirë të ndodhur brenda PDK-së, kryedemokristiani Ndoka e ka marrë shumë qetë, duke mos e vënë ujin në zjarr lidhur me shkërmoqjen që po i bëhet nga dita në ditë partisë së tij. Pas largimit të Ujkës, publikisht ka dalë kundër këtij vendimi edhe një nga zv/ministrat e Ndokës, Zef Bushati.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›