E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjetet e bllokuara, drejt konfiskimit

Qindra automjete të bllokuara nga policia, në prag të konfiskimit. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka vendosur një afat kohor prej 10 ditësh për të gjithë zotëruesit e mjeteve të bllokuara në pikat e bllokimit të Komisariatit të Durrësit, për të kryer procedurat përkatëse dhe tërhequr mjetet. Në të kundërt, në bazë të ligjeve në fuqi, automjetet do të konfiskohen nga shteti dhe do të dalin në shitje. Janë plot 1273 automjete të markave të ndryshme që janë në pritje të pronarëve të tyre. Burimet zyrtare të policisë së qarkut thanë se zotëruesit e automjeteve duhet të paraqiten me dokumentacionin e nevojshëm pranë zyrave të policisë rrugore brenda 10 ditëve në vazhdim për të marrë mjetet e tyre, pas shlyerjes të të gjitha detyrimeve. Mjetet janë kryesisht vetura, furgonë, motoçikleta, kamionçina dhe pak kamionë. Në bazë të neneve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, ligjit "Për kundërvajtjet administrative", vendimeve të Këshillit të Ministrave "për administrimin e sendeve që kalojnë në dobi të shtetit për kundërvajtje administrative" dhe "zbatim të Kodit Rrugor", si dhe udhëzimit të ministrit të Brendshëm për "procedurat e ndalimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të mjeteve", policia e Durrësit ka lajmëruar drejtuesit e mjeteve të bllokuara për të lëvizur nga vendi nëse duan të rifitojnë mallin e tyre. Mosparaqitja brenda afatit të përcaktuar që përkon me fundin e muajit prill i zhvesh zotëruesit e 1273 mjeteve nga pronësia në bazë të këtyre akteve ligjore. Kalimi i pronësisë në duart e shtetit do t‘i hapte rrugë një ankandi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›