E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legisi: Zgjedhjet janë të rrezikuara nga manipulimi

"Muaji i mjaltit" mes PD-së dhe PS-së vazhdon ende në Kuvend. E njëjta klimë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi si në seancën e shkuar kur u miratuan me konsensus ndryshimet kushtetuese dhe sistemi i ri zgjedhor është pasuar edhe në seancën e djeshme parlamentare. Ndryshe nga herët e tjera kanë munguar akuzat dhe tonet e ashpra të opozitës në adresë të qeverisë. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë mes PS-së dhe LSI-së, pasi kjo e fundit edhe në seancën e djeshme nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj PS-së në lidhje me qëndrimin e saj pro ndryshimeve kushtetuese, paketë e propozuar nga Komisioni i Ligjeve, e cila u miratua me 115 vota pro në Kuvend. Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, gjatë diskutimit të tij dje në Kuvend, ka deklaruar se "asnjëherë në historinë e pluralizmit politik shqiptar demokracia nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot". Sipas tij, nata e 22 prillit do të mbetet në historinë e demokracisë shqiptare si një njollë e zezë, ku Kuvendi i "Dushkut" vendosi të bashkojë votat për të goditur vullnetin e sovranit dhe për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë të miratuar me referendum popullor. "Atë natë një pjesë e opozitës i dorëzoi Berishës të gjitha instrumentet e kontrollit demokratik mbi qeverinë e tij. Tani shqiptarët nuk do të ndjekin më debatet në Kuvendin e Shqipërisë, por do të shohin teatrin politik PS -PD", është shprehur Legisi. "Mendimi ndryshe në këtë Kuvend do të jetë formal dhe ata që do të guxojnë të flasin ndryshe brenda këtyre dy partive, do të ndëshkohen me largim nga politika. Nga sot, votat do t‘i numërojnë ata që dhunuan dhe vodhën zgjedhjet për 18 vjet me radhë. Ministria e Brendshme do të drejtojë KQZ-në dhe Ferdinant Pone që manipuloi zgjedhjet e vitit 1996, do të organizojë zgjedhjet në Shqipëri" tha ai. Por pretendimet e parlamentarit të LSI-së dhe të pjesëtarëve të tjerë të partive të vogla parlamentare janë kundërshtuar nga deputeti i PS-së, Andis Harasani. Ai theksoi se një seancë më parë Kuvendi shprehu vullnetin politik për të korrigjuar dhe përmirësuar dokumentin themelor të shtetit dhe për të firmosur një kontratë të re me qytetarin shqiptar, i cili meriton më shumë. "Duke votuar pro ndryshimeve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor, ne kemi bindjen se ato janë një mjet më shumë për të bërë më të ndershme politikën shqiptare. Janë një mekanizëm më shumë për të ndarë me votën e të gjithë shqiptarëve përgjegjësitë për të sotmen dhe të nesërmen e këtij vendi. Janë një shans më shumë për të treguar se shoqëria shqiptare është shumë hapa përpara klasës politike që megjithatë, në tërësi, nuk ka fytyrën e qeverisjes që kemi dhe nuk e meritojmë", është shprehur Harasani. "Ne, tha ai, votuam për t‘i dhënë fund shantazhit që sjellin numrat dhe pazarit të trishtuar të përkëmbimit të votave sa herë që klima e xhepit kërkon të ndikojë në klimën politike në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›