E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësohen vizat për të shkuar në Danimarkë

Shqipëria nënshkruan me Danimarkën marrëveshjen për lehtësimin e lëshimit të vizave. Ministri Bujar Nishani nënshkroi me ambasadorin e Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, Niels Severin Munk, marrëveshjen për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar dhe marrëveshjen për lehtësimin e lëshimit të vizave. Sipas informacioneve zyrtare, në bazë të marrëveshjes për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar do të ripranohen në Shqipëri me kërkesën e Danimarkës të gjithë ata persona të cilët nuk plotësojnë, ose nuk plotësojnë më tej kushtet në fuqi për hyrjen, qëndrimin ose banimin në territorin e Danimarkës, me kusht që të provohet, ose të pranohet në mënyrë të vlefshme në bazë të sigurimit të provave të qarta se ata janë shtetas të Shqipërisë ose shtetas të vendeve të treta ose pa shtetësi, të cilët kanë hyrë në territorin e Danimarkës pasi kanë qëndruar në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë, Marrëveshja për Lehtësimin e Lëshimit të Vizave parashikon të njëjtat lehtësi të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar në shtator të vitit 2007 me BE-në. Konkretisht do të ketë procedura më të thjeshta dhe lehtësi në marrjen e vizës për në Danimarkë për kategori të caktuara personash si anëtarët e delegacioneve zyrtare, biznesmenët, gazetarët, turistët, të përndjekurit dhe familjarët e shtetasve shqiptarë me banim të ligjshëm në Danimarkë. Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, z.Niels Severin Munk, duke vlerësuar se për hartimin e këtyre marrëveshjeje është punuar me seriozitetin dhe angazhimin maksimal nga të dyja palët, theksoi se i njëjti angazhim do të jetë i nevojshëm për vijimin e procesit deri në hyrjen në fuqi dhe implementimin e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›