E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësi, gati 11 projektligje

E nisur një muaj më parë me ligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", që megjithëse u miratua me konsensus të plotë të forcave politike shkaktoi mjaft reagime kundërshtuese nga ana e shoqatave të gjyqtarëve, reforma në drejtësi do të vazhdojë me ritme të shpejta. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë thanë dje për "Shqip" se brenda gjysmës së parë të këtij viti do të dërgohen për diskutim dhe miratim në Parlament 11 projektligje, të cilat tashmë në pjesën më të madhe të tyre janë gati. Bëhet fjalë kryesisht për shtesa dhe ndryshime në ligjet ekzistuese, por që do të ndryshojnë pjesët themelore të këtyre dokumenteve. Këto projektligje janë përgatitur nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë dhe kanë qenë të asistuara nga ekspertët e huajt të misioneve EURALIUS, OBDAT, OSBE e të tjerë.

Avokatia dhe noteria

Dy nga sektorët kryesorë që do të preken nga ndryshimet në legjislacion do të jenë avokatia dhe noteria. Shtyrja e proceseve gjyqësore, për shkak të mungesës së avokatëve, apo problemet e vërejtura me dokumentacionin që kalon përmes noterëve, duket se janë vënë në thelb të ndryshimeve që priten të bëhen. "Ministria e Drejtësisë ka filluar iniciativën ligjore për të ndryshuar bazën ligjore që rregullon marrëdhëniet e avokatit me shtetin, për t‘i kthyer ata në funksionarë publikë të përgjegjshëm dhe që penalizohen në raste kur pa arsye bëhen shkak i shtyrjes së proceseve gjyqësore", mësohet të ketë deklaruar ministri Alibeaj. Sipas tij, me ndryshimin e ligjit në vitit 2004, Dhoma Kombëtare e Avokatëve është i vetmi organ i cili organizon, mbron dhe vetërregullon funksionin e avokatit. Po kjo nuk ka funksionuar dhe avokatët vazhdojnë të konsiderohen nga gjyqtarët si shkaku kryesor i zvarritjes së proceseve.

Në të njëjtën situatë duket se është edhe Dhoma e Noterisë. Ligji ekzistues për këtë të fundit duket se është edhe më i vjetër, pasi daton në vitin 1994. Për këtë rast mendohet se ndryshimet parashikojnë liberalizim të shërbimit, por nga ana tjetër dhe një kontroll më të madh nga ana e strukturave të Ministrisë së Drejtësisë.

Ligjet e tjera

Në listën e gjatë të projektligjeve që janë pjesë e reformës në drejtësi janë edhe ligji për prokurorinë dhe ai për përmbarimin. Megjithëse nga ana e ministrisë nuk është bërë ende e ditur se çfarë të rejash sjellin këto dy projekte, mendohet se të paktën në rastin e përmbarimit ndryshimet konsistojnë në privatizimin e këtij shërbimi kaq të rëndësishëm për publikun. Kjo çështje është diskutuar edhe më parë, madje për të janë prononcuar publikisht edhe misionet e huaja që veprojnë në Shqipëri. Ndërkaq, kuadrin e reformës e plotësojnë projektligjet për Gjykatën Administrative dhe për Administratën Gjyqësore, të cila janë kërkuar me ngulm edhe nga shoqatat e gjyqtarëve.

Projektligjet për t‘u paraqitur

Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor".
Projektligji "Për ndihmën ligjore".
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal".
Projektligji "Për përkthyesit zyrtarë".
Projektligji "Për administratën gjyqësore"
Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin "Për noterinë".
Projektligji "Për të drejtën ndërkombëtare private".
Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative".
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Civil".
Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për policinë e burgjeve".
Fillimi i procedurës së ratifikimit të Konventës së Hagës për njohjen e zbatimit të vendimeve mbi detyrimin ushqimor; Fillimi i procedurës së ratifikimit të Konventës së Hagës për njohjen e divorcit dhe ndarjes ligjore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›