E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, në kërkim të të pandehurve të dosjes "Hoxha"

Gjykata e Krimeve të Rënda është duke verifikuar adresat e të pandehurve që akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Burime të sigurta nga kjo gjykatë thanë dje për "Shqip" se janë duke u përgatitur njoftimet për pjesëmarrjen në proces për të pandehurit e kësaj çështjeje dhe se gjykata është duke kërkuar adresat e vendbanimeve të tyre, për të realizuar njoftimin e tyre. Të njëjtat burime konfirmuan se data për nisjen e procesit ende nuk është caktuar dhe kjo për shkak të mos përfundimit të procesit të verifikimit të adresave ku do të dërgohen njoftimet për të pandehurit. Aktualisht gjykata ka informacion se Ilir Kumbaro ndodhet prej disa vitesh në Angli dhe po merr masat për të njoftuar atë ose familjarët e tij. Në rast se kjo gjë do të jetë e pamundur, mendohet që në seancën e parë të procesit, trupi gjykues do të vendosë për nisjen e një letër-porosie për autoritetet britanike, për të lajmëruar Kumbaron. Ndërkaq, gjykata po verifikon edhe adresat e dy të pandehurve të tjerë, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, ndërsa duket se e ka pasur më të lehtë me të pandehurin e fundit të kësaj çështjeje, i cili është aktualisht edhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini.

Por në seancën e parë të procesit pritet që të vendoset edhe bllokimi i pasaportave të të pandehurve. Aktualisht, me gjithë lajmet e përhapura për bllokimin e pasaportave të të akuzuarve, në momentin që atyre u është komunikuar marrja në përgjegjësi penale, burimet nga gjykata e krimeve saktësojnë se një gjë e tillë do të bëhet vetëm në seancën e parë të procesit. Aktualisht të pandehurit i kanë pasaportat e tyre, megjithëse prokuroria ka njoftuar policinë që të mos i lejojë ata të largohen nga vendi, ndërsa trupi gjykues do të jetë ai që do të vendosë ose jo për bllokimin e pasaportave.

Të katërt të pandehurit e këtij procesi kanë qenë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar në vitin 1995 dhe akuzohen se kanë rrëmbyer e më pas torturuar deri në vdekje Remzi Hoxhën. Arben Sefgjini, ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në SHIK, Avni Koldashi, ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, akuzohen se kanë marrë pjesë direkt në zhdukjen e Hoxhës. Prokuroria sqaroi dy ditë më parë se akuza ndaj tyre qëndron ende në fuqi, me gjithë amnistinë e vitit 1997, pasi trupi i viktimës nuk është gjetur ende dhe akuza e rrëmbimit është aktuale. Gjithsesi, interpretimi i saktë i kësaj çështjeje do të jetë në dorë të Gjykatës së Krimeve të Rënda.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›