E Diel, 1 Nëntor 2026

Guri kilometrik tatimor

Konferenca e djeshme e mbajtur në hotelin Sheraton Tiranë, për modernizimin e administratës sonë tatimore shpalosi një të vërtetë të padiskutueshme. Suksesin e reformës fiskale. Sjelljen e legjislacionit tatimor pranë parimeve dhe përmbatjes së legjislacionit tatimor të Bashkimit Europian (i ashtuquajturi “Aquis Communautaire”). Realizimi i analizës së rrezikut në strukturat tatimore. Shërbimet elektronike ndaj tatimpaguesve. Dhe në bosht të kësaj reforme: guri kilometrik, zbatimi i taksës së sheshtë në detyrimet shtetërore shqiptare që nga 1 janari 2008. Dhe taksa e sheshtë(barazimi i të gjithave taksave të shtetit në një nivel të vetëm-tek ne është 10 përqind) justifikoi besimin e projektuesve të saj. Po shndërrohet gradualisht në traun mbajtës të të ardhurave shtetërore, pa rënduar biznesin. Në të njëjtën mënyrë si u shndërrua në vitin 1996 Taksa mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). E sheshta ndërkohë është sa tërheqëse në përfitimet dhe thjeshtësinë e zbatimit të saj, aq edhe sfiduese në zbatim. Nga vendet ish-komuniste, Estonia është e para që e ka zbatuar që në vitin 1994, me rezultate të shkëlqyera. Ndërsa ndër vendet e zhvilluara, Hong-Kongu mbahet kampion i taksës së sheshtë dhe e mban atë prej tri dekadash. Po e zbatojnë sistemin e saj sot vende si Polonia apo Çekia, por edhe Sllovenia. Po cilat janë përfitimet e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare në këta 12 muaj zbatim të taksës së sheshtë? Pikë së pari, tatimi për fitimin që aplikohej mbi biznesin e madh në masën 20 përqind u përgjysmua. Kjo i krijoi mundësi biznesit të madh të lironte kapitale dhe të rriste investimet, duke hapur vende të reja pune. Pritej që nga zbatimi i taksës së sheshte të ardhurat e shtetit nga sistemi fiskal të uleshin ndjeshëm këtë vit. Për fat, kjo nuk ndodhi, pse ulja e tatimit mbi fitimin solli edhe uljen e informalitetit. Taksa e sheshtë po depërton në të gjithe kapilarët e jetës ekonomike të vendit dhe me zgjerimin e ndjeshëm të tatimpaguesve, ajo po rrit gradualisht të ardhurat e shtetit. Nga ana tjetër, ajo rrit drejtësinë e detyrimeve shtetërore. Pse është shumë e thjeshtë dhe e dukshme. Zbatohet për çdo lloj aktiviteti dhe fitimi njëlloj. Vendos të gjitha bizneset në të njëjtin start dhe nuk paragjykon asnjë aktivitet. Me kontrollin dhe rregjistrimet korrekte të kësaj takse, po kthehet po gradualisht autoriteti deri tani i nëpërkëmbur i strukturave tona fiskale. Tatimori apo doganieri po “bien erë” më së fundi shtet dhe nuk do të shohin gjithë jargë xhepat e sipërmarrësve e tregtarëve që do t’u afrohen. Kësisoj, hapësirat për abuzim nga ana e administratës fiskale bëhen minimale. Kjo, pse ka vetëm një nivel vjeljeje takse dhe në të njëjtën “vijë uji” e ke të vështirë të abuzosh. Por krahas këtyre të mirave të mëdha, vendosja e taksës së sheshtë ka pikëpyetje po aq të mëdha. Ambasadori amerikan në konferencë nuk e la kot një “amanet”(këshillë të përulur, sikurse e quajti ai). Widhërs tha se duhet bashkëpunuar fort brënda strukturave tatimore, për t’u luftuar korrupsioni. Korrupsioni potencial me taksen e sheshtë është edhe shqetësim kryesor i ekspertëve të FMN-së. Të gjitha të mira e përmendura më sipër vijnë mirëfilli nga taksa e re vetëm nëse administrata jonë fiskale trajnohet fort dhe e mëson si duhet sistemin e ri. Ai është sa i thjeshtë, aq dhe i ndërlikuar, pse mbështetet në rregjistrimet me anë të programeve kompjuterike. “Kujtesa” dhe “syri” i shtetit do të përmbahen në atë kapital të dhënash të quajtur teknikisht “data base” që duhet të ruhet mirë dhe të mbrohet nga lloj-lloj sulmesh që mund të pësojë baza e të dhënave nga piratë që mund të jenë edhe brënda administratës tatimore. Ky sistem të dhënash pa tjetër duhet të ketë një rezervë strategjike të dhënash, që edhe në rast se dëmtohet me virus apo keqtrajtohet nga dashakeqës, të ketë mundësi në kohë të menjëhershme të rinisë funksionimin me bazën rezervë të të dhënave. Po ashtu, zbatimi i taksës së sheshtë kërkon aftësi zhbiruese të strukturave të posaçme që të gjurmojnë e detyrojnë firmat në biznes gri të kthehen në tërësisht ligjore, apo do të kapë dhe dënojë biznesin që qëndron në të zi. Nëse këto zhbirime nuk kryhen si duhet, e gjithë besueshmëria dhe efikasiteti i taksës së sheshtë kompromentohen rëndshëm Prandaj taksa e sheshtë, njëlloj si ligji i ri për procedurat tatimore, kërkojnë vrojtim të hollësishëm dhe të shpeshtë, për të mos lënë abuzuesit dhe “mjeshtrat” e shmangjeve fiskale që të përfitojnë.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›