E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj për spiunët apo për krimet e komunizmit?!

Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një komb, kur intelektualët e tij, filozofët, politikanët, analistët, moralistët, psikologët, psiko-analistët etj. vuajnë nga terrori i pushtetit të parasë... Dhe janë gati të bëjnë çdo gjë me protagonizmin e tyre, madje jashtë bindjeve dhe moralit që kanë, pikërisht në momentet kur vendi përgatitet për të kaluar situata me ndryshime të rëndësishme morale e politike, mjaft që t’u mbushen xhepat me para apo t’u sigurohet garancia e jetës nga arrogantët...

Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur e po ndodh në Shqipërinë tonë qysh nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit të 20-të dhe deri në ditët e sotme.

“Lufta” për “projektligjin e dosjeve”, i cili, siç duket, arriti më në fund finishin e kalvarit të 18 vjetëve dhe po kalon në Parlament së shpejti për t’u shndërruar në ligj, realisht ka alarmuar shumë njerëz nga klasa politike që është e mbingarkuar me mëkatet e së kaluarës. Për hir të së vërtetës, këta njerëz, duke qëndruar besnikërisht e forcërisht në krahun e majtë, janë treguar “të aftë dhe trima” për të rrëmbyer pushtetin, edhe atëherë kur të gjithë mendonin se ata të cilët krijuan dhe ekzekutuan pa mëshirë diktaturën e pashembullt në historinë e shqiptarëve, nga ndryshimet që ndodhën pas vitit 1990, duhet të ishin vendosur pa hezitim në bankën e të akuzuarve për të dhënë llogari për gjithçka që bënë në Shqipëri gjatë sundimit të tyre, si edhe për nga lloji i krimit i regjistruar për herë të parë në analet e kriminalistikës botërore, si krime të panjohura më parë në shkencën e kriminologjisë. Jo vetëm që asgjë nuk u ndodhi, s’u hyri gjësendi në këmbë, por u bënë më të fortë ekonomikisht e më të nderuar në shoqëri, politikë e kudo. Dhe, kur ata sot ndihen të dobët, të flashkët e të trembur për vdekje nga pasiguria për të gjitha ato që i kanë arritur me shumë dinakëri e sakrifica të pandershme, sidomos gjatë këtyre 18 vjetëve, që mund t’u ikin pa pritur nga duart, vetëm nga një “ligj i Parlamentit”, ligj që ata e kanë shkelur me këmbë e përbuzur me neveri dekada të tëra, çuditërisht, u dalin në mbrojtje morale, politike dhe juridike një eskortë e tërë gjame të ditur e demokratë të vërtetë, me tituj onorifikë, si analistë të shquar, filozofë të ndritur, politikanë modernë, të cilëve me dashje u radhiten edhe një sërë titujsh akademikë, detyra shtetërore apo politike, nga më madhoret...

Nuk e ndien njeriu veten kurrë më të dëshpëruar teksa lexon nga këta njerëz të ditur e me autoritet mediativ të pazakontë shqetësimin, jo për ligjin e spiunëve, i cili mund të shahet me ç’i mban pragu për mendjelehtësitë e budallallëqet që përmban, por për tendencën e tyre deri për të hedhur poshtë edhe domosdoshmërinë e këtij ligji. Thashë më lart, që të jesh njeri i ditur, pa komplekset e së kaluarës e të paraqesësh gjoja “argumente” se nuk ka nevojë Shqipëria për të dënuar krimet e regjimit komunist, me pretekstin se paskan kaluar 18 vjet, mbasi, dashje pa dashje, na filluaka një luftë e re klasore, e panevojshme... apo se pse, gjoja, për këtë ligj nuk paska njerëz të drejtë e të ndershëm për ta zbatuar, me efekte pozitive(!!) etj. etj., kësaj i thonë të barabitesh me ata njerëz që aftësitë e tyre intelektuale pa asnjë merak i shndërrojnë në biznes apo për të larë borxhet e tyre të kahershëm(!).

Sipas tyre, kjo gjë, o bëhej menjëherë sapo Partia Demokratike mori pushtetin në vitin 1992 ose tash pas 16 vjetëve nuk ka vend për të zhvilluar një luftë morale e politike që vjen “erë antikomunizmi” ose “erë e luftës civile”... Në sinkron me këta “zëra intelektualësh” buçasin nëpër altoparlantët e radiove apo TV-ve edhe thirrjet gjëmë të “njerëzve të popullit” se “Partia Demokratike, si më 1995, me ligjin për pastrimin e figurave, po përgatit ’97-ën e sotshme për ta hedhur Shqipërinë përsëri në flakë e zjarr”. Janë zërat e atyre që mburren edhe sot si e morën pushtetin atëherë, me këngët që i dirigjonte Gjinushi e shokët e tij, në “Sheshin e Flamurit”, në Vlorë: “O djem rrëmbeni pushkët, o vdekje, o liri!” Përkthyer thjesht: “Nëse ju kërkoni të na përjashtoni nga e drejta për të qeverisur vendin, ne atë do ta marrim përsëri me grykën e armëve!!!”

Mirëpo, unë desha t’u bëja disa pyetje analistëve, politikanëve, filozofëve dhe cilitdo njeri me dy pare mendje dhe kulturë evropiane, qoftë edhe aziatike, nëse i kujtohet, vallë, se kur është shqetësuar ndonjëherë ky zotëria i nderuar për të gjithë ata shqiptarë që u masakruan padrejtësisht me dekada të tëra, fëmijë, plaka, burra, gra, nga më të mirët që ka pasur popull ynë, jo pak, por gati gjysmë shekulli, në i kanë fituar ata “të drejtat e njeriut” si të gjithë të tjerët, që u takojnë në këtë truall amtar? A kanë fituar të drejtën këta njerëz, sipas të gjithave konventave evropiane dhe botërore, për t’iu gëzuar ndëshkimit ligjërisht të persekutorëve të tyre, të paktën moralisht, sipas të drejtës së një shteti demokratik? Po të drejtën e rikthimit të pronës së tyre të grabitur barbarisht nga bandat e diktaturës së proletariatit, a e kanë gëzuar në këtë shtet demokratik? Po kur persekutorët dhe bijtë e tyre morën pushtetin me ndihmën e dollarëve përtej kufirit më 1997, a është shqetësuar ndonjëherë zotëria në fjalë, se si vajti fati i ish-të burgosurve politikë, i të internuarve politikë, si dhe i pronave të grabitur me dhunë nën regjimin e këtyre pinjollëve (të cilët janë mbi 40% e popullsisë autoktone shqiptare)? Po për të drejtën e viktimës që e ka të sanksionuar me ligj në Traktatin e të Drejtave të Njeriut, për të mos qenë e detyruar të shoh persekutorin e vet të kapardisur përditë para tij me kollare dhe vetura luksoze, a e shqetëson ky fakt intelektualin tonë demokrat? Po. Do të isha edhe unë me të gjithë ata që sot, falë edhe “dashamirësisë” që kanë për të drejtat e njeriut, për të kundërshtuar me forcë çdo orvatje që kërkon t’i rikthehet edhe një herë procesit të “purifikimit moral” i bërë gjoja më parë demokratikisht, mirë apo keq, gjithsesi që ai të kishte arritur njëfarësoj qëllimin e vet. Por, more lumë miku, ai “purifikim” nuk është bërë kurrë në Shqipëri. Situata politike, morale dhe ekonomike organikisht është po ajo si në diktaturë. Sepse atëherë flitej për zhvillimin e “socializmit ngadhënjimtar”, i cili justifikonte luftën e klasave për t’i dërrmuar armiqtë e sistemit që pengonin zhvillimin e tij. Sot po këta njerëz çirren për zhvillim e “demokracisë perëndimore”, e cila justifikon ruajtjen dhe forcimin e të drejtave të njeriut ndërmjet konsensusit të forcave politike, por pa e kthyer kokën prapa në të kaluarën e tyre kriminale. Sepse ata që drejtojnë partitë dhe qeveritë e legjislaturave në pluralizmin tonë, janë po ata ose bijtë e atyre që drejtonin dikur mbledhjet e komiteteve të partisë, të degëve të punëve të brendshme, anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, janë ata apo bijtë e nipërit e tyre që torturonin njerëzit nëpër hetuesitë barbare për t’u marrë floririn apo për t’i detyruar njerëzit e pafajshëm të pranonin ato që s’i kishin parë as në ëndërr, janë ata që i martonin njerëzit me pahir vetëm siç i interesonte Partisë apo këshillit të lagjes, që i torturonin njerëzit nëpër punët vullnetare, nëpër zbore e gjetkë, vetëm e vetëm për t’i bindur ose për t’i kthyer në skllevër të bindur të Partisë e të shtetit të diktaturës së proletariatit. Mos more! Nuk ma do mendja të ketë shqiptar që vitet e demokracisë e zunë mbi 18 vjeç, të mos i kujtohet entuziazmi i madh i shqiptarëve, kur “përmbysën” me mendjen e tyre njerëzit e diktaturës që sunduan vendin me hekur të nxehtë për 45 vjet me radhë, të mos mbajë mend shkatërrimin e “Bllokut të mistershëm”, me të gjithë njerëzit që ai kishte brenda... të mos ketë parë apo dëgjuar për burgjet dhe kampet e internimit në të katër anët e vendit, për të vrarë, të therur apo të varur në litar, madje edhe në çastet e fundit të regjimit makabër... të mos ketë parë apo dëgjuar për të gjithë ata djem e vajza të reja që ndryshimin ligjit ramizian për kalimin e kufirit, nga “tradhti kombëtare” që të dënonte me vdekje, në “kalim të paligjshëm të kufirit” që të ndëshkonte tashmë vetëm me gjobë ose disa ditë burg, e morën për të vërtetë dhe u nderën nëpër telat me gjemba nga plumbat e rojave të diktaturës deri në ditët e fundit të saj...

A duhet bërë një gjyq për të gjitha këto krime? Pa dyshim. Madje të ishte bërë edhe më parë, por për shkaqe që dihen se sa i fuqishëm ishte lobi sllav në Shqipëri, natyrisht që ai nuk do t’i dorëzonte aq kollaj pinjollët e vet, që i rriti dhe i edukoi me aq kujdes si antidemokratë dhe antishqiptarë. Për krimet dhe kriminelët kombëtarë apo ndërkombëtarë asnjëherë nuk është vonë që të ndëshkohen. Kemi shembuj të panumërt për këtë se si vendet e qytetëruara e të zhvilluar demokratike i zbulojnë krimet dhe kriminelët edhe pas dhjetëra e qindra vjetësh. Dhe i gjykojnë të paktën moralisht. Sepse asgjë e keqe në këtë botë nuk mbetet pa u ndëshkuar! Ky duhet të jetë edhe morali i “ligjit për dënimin e krimeve të komunizmit”. Shqipëria nuk duhet të ndërtojë të ardhmen e vet mbi eshtrat e të pafajshmëve dhe me moralin e kriminelit apo të hajdutit. Nëse nuk do të bëhet gjykimi i diktaturës dhe i diktatorëve, shqiptarët moralisht dhe politikisht do të jenë përjetësisht të ndarë në dy kampe armiqsh, në njërën anë ata që sot janë të fshehur tek partitë e majta e të djathta, me moralin e vrasësit, vjedhësit dhe mashtruesit dhe ata që përpiqen t’i ndëshkojnë këta. Por, me sa kuptoj unë, fatmirësisht, ka ardhur koha që në Shqipëri së shpejti do të sundojë ligji i shtetit të vërtetë demokratik. Rroftë Demokracia!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›