VDEKJA E NËPUNËSIT
Zotni Gj. mezi i bënin këmbët të shkonte në ministri. Edhe e premte ishte, pavarësisht se nuk kishte paragjykime. I kishte inat zyrat. Që nga koha e shkuar ai kishte alergji për to. Nuk arrinte të ndryshonte mendimin se tashmë ato ishin zyra shërbimi, pra në shërbim të njerëzve. Edhe kur dëgjonte apo shikonte në TV, nuk përshtatej me konceptin e ri për zyrat. Aq më tepër kur bëhej fjalë për zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tek çfarëdo ministrie mund të shkonte, por këtu jo. Dikur kishte shkuar me qejf në Ministrinë e Arsimit për një mbesë të tij. Duke ecur rrugës për tek MPB-ja, iu fanit në mendje një kohë e shkuar, si e largët i dukej, por jo dhe aq. Ministria ishte po ajo, vetëm se e restauruar dhe e lyer. Nuk dinte nga të shkonte. Herën e fundit që pati qenë këtu e prunë të tjerët me një furgon të mbyllur dhe e dërguan drejt e në një zyrë. I kujtohej fare mirë zyra. Kishte dy karrige me dy tavolina në njërën nga të cilat një makinë shkrimi. Në mur, portreti i diktatorit dhe një citat: “Të mprehim vigjilencën revolucionare”. Në mes të dyshemesë së çementë ishte një karrige shumë më e vjetër se dy të parat. E ulën me forcë në atë karrige dhe i hoqën prangat. Tre vetë po e vështronin. Një oficer tullac, i shkurtër, filloi të bënte rrathë koncentrikë rreth tij. Një tjetër në tavolinë bëri gati letrën në makinën e shkrimit. Makina e shkrimit ishte e markës “Olimpia”, e vjetër, mbase që nga koha e italianëve apo e gjermanëve. Në tastet e lyrosura mezi dalloheshin shkronjat. Filluan formalitetet. Shkruesi shtypte në makinë fjalët, por shpesh detyrohej të kthente karelin e makinës prapa për të korrigjuar gabimet e bëra në letrën e verdhosur të cilësisë së dobët. Makina punonte me vështirësi, kështu që detyrohej t’i binte me forcë tasteve. Tak – tak, tak. Zhurma krakëllitëse e makinës i ngjasonte me nguljen e thikës në mish. Tak – ngulje thike. Tak – thika e dytë… në shpinë, në palcë, në tru. Akuza… neni 55… burg. Koka tullace me dy sy si të maces i afrohej rreth vendit ku ishte ulur, sikur donte të zmadhonte përmasat e trupit të tij. Disa herë i drejtohej si “mik i vjetër” duke i thënë të nënshkruante me të mirë sepse përndryshe... dhe tundte gishtin. Thikëngulësja me të vërtetë ishte e vjetër, por për personat e asaj zyre nuk kishte rëndësi. Vendimi ishte marrë me kohë dikur dhe diku. Tastet e A-së, P-së dhe 5-ës nuk funksiononin mirë nga përdorimi i tepërt. A, a, a,… P, p, p,… 55… Ndoshta në këtë zyrë neni që i shkatërronte makinat e shkrimit ishte famëkeqi neni 55, Agjitacion dhe propogandë, arratisje, armik i poppullit, antikomunist, tradhti ndaj atdheut. Kjo kronikë e trishtuar sikur e përhumbi. Zëri i nëpunëses së informacionit e përmendi.
- Zotni urdhëroni! Ku doni të shkoni? - e pyeti me zë të ëmbël një vajzë e re.
- Kam ardhur për një certifikatë penaliteti, - mori zemër Gj. nga mikpritja e vajzës.
- Urdhëro, zotni, do të shkoni tek zyra e dytë majtas.
U çudit nga mënyra e komunikimit. E kishte paragjykuar rastin. Bile edhe ndërtesa iu duk shumë e bukur. Trokiti lehtë në derë sa mezi e dëgjoi dhe vetë, pastaj edhe një herë më fort. Dëgjoi nga brenda: “Hyr!”. Lëvizi dorezën e derës dhe hyri brenda. Sa kishte ndryshuar zyra! Tre-katër tavolina, në mes një tapet i kuq me disa pjesë blu në qendër. Një kompjuter mbi njërën nga tavolinat dhe një burrë pranë tij.
- Urdhër…o! - iu mor goja nëpunësit, që të porsaardhurit iu duk se iu zverdh fytyra. Kur e pa se klienti nuk e njohu, vazhdoi me një mospërfillje disi të shtirur:
- Urdhëroni, flisni!
- Kam ardhur për një dëshmi penaliteti.
Nëpunësi shikoi nga kompjuteri, edhe i porsaardhuri gjithashtu. Gj. mendoi se ka ndryshuar koha. Kompjuteri. Nuk merrte vesh nga ai, por nuk ishte si ajo makina e shkrimit. Kompjuteri iu duk një makinë paqësore që nuk i bënte keq njeriu. Apo nuk dilnin në ekran disa kuadrate me ngjyra të bukura. Jo, jo, nuk krahasohej me makinën grirëse të shkrimit të dikurshëm, thikëngulësen e vjetër.
- A mund të ulem? - pyeti me ndrojtje.
- A, po, më fal se u habita, urdhëroni në poltronë!
Të porsaardhurit iu duk se e pyeti kot për emrin sepse ai kishte filluar të punonte në kompjuter shumë më para se ai të përgjigjej. Nuk po merrte vesh. Epo, kompjuteri, - mendoi.
- Sot është e premte, nesër dhe të dielën është pushim, do të vish të hënën nga dreka, sepse duhet edhe vula e firma e shefit. Tani nuk është këtu. Ka mbledhje me ministrin. Gj. përshëndeti nëpunësin dhe doli. U ndie i lehtësuar.
* * *
Të shtunën, Gj. e rikujtoi edhe një herë ngjarjen e menduar si të vështirë. Kishte kaluar lehtësisht të gjitha burokracitë e zyrave. I kishin thënë të paraqitej të hënën e ta merrte atë fletushkë që quhej “dëshmi penaliteti”, për ta paraqitur diku. Përse? Sepse ishte i veçantë nga të tjerët. Sepse kishte qenë në burg. Ajo fletushkë do ta bënte të pafajshëm. I erdhi rëndë. Shteti i asaj kohe me shkak ose pa shkak të dënonte dhe tani askush nuk merrte mundimin të kërkonte falje. Vetëm kjo fletushkë të jep pafajësinë. Jo, shteti nuk ka si kërkon falje. Kjo i dukej falje false. Shtetin e bëjnë njerëzit. Ku shkuan ata pas shpërbërjes së shtetit komunist? Ku? Po kush duhet të kërkojë të falur? E kaloi një pjesë të ditës duke menduar, por nuk po ia gjente fillin zgjidhjes, ndoshta nuk ishte ai që duhej të mendonte për zgjidhjen.
* * *
Të dielën në mëngjes, Gj. u zgjua herët. Nuk ishte i shqetësuar, më tepër dukej i kënaqur. Së shpejti mund të vlerësoheshin vuajtjet e tij. Do të shkonte në kishë për meshën e parë. Në atë orë të mëngjesit nuk kishte shumë njerëz. Turma e bezdiste. I dukej sikur të gjithë do ta shikonin dhe me vete do t’i thoshin: “Ti ke qenë në ministri”. Kaloi buzë lumit të Lanës gjysmë ore para se të fillonte mesha në katedralen e Shën Palit. Mendoi të pinte një kafe. Nga vendi ku ishte nuk kishte bar-kafe afër. Sa të sillej poshtë e lart hyri në kishë dhe u ul në një stol. Para se të ulej, nuk e kishte vënë re nëpunësin e ministrisë. Por kur u ul, i bëri një përshëndetje të lehtë me kokë. Tjetri e salutoi apo u dridh, nuk e dalloi, por e anashkaloi. Mesha iu duk se po kalonte shpejt. Gj. vuri re se gjatë predikimit të priftit, nëpunësit që po e dëgjonte me vëmendje, herë i ikte, herë i vinte fytyra.
- Zoti i fal mëkatarët dhe të penduarit, ai i gjykon ata, -u dëgjua zëri i priftit, - prandaj ju s’keni të drejtë t’i dënoni me vetëgjygjësi.
- Paqja me ju, - dëgjoi më vonë. - Jepini njëri-tjetrit shenjën e paqes!
I dha dorën të njohurit të ri duke i thënë: “Paqja” dhe atëherë vuri re se ai ishte i verdhë në fytyrë. U dha dorën të tjerëve. Ata gjithë gëzim ia kthyen përshëndetjen. Mendoi se nëpunësi nuk kishte qejf të krijonte njohje me klientët e tij. Por rastësia ishte jashtë kufijve të argumentit. Më pas, nuk e mendoi atë çast. Vetëm pas pak dëgjoi priftin:
- Zoti ju bekoftë! Mesha u krye, shkoni në paqe!
Lëvizi nga vendi, por nuk largohej. Fytyra limone e të njohurit të ri po e shqetësonte. Duke dalë nga kisha, iu afrua me delikatesë dhe i tha me shumë finesë:
- Më duket se nuk ndiheni mirë, edhe unë gjithashtu, ndoshta nga ajri i lagësht në kishë. Sikur të pimë nga një kafe.
Tjetri u kthjell dhe pranoi. Ecën përgjatë Lanës për nga ura e “Rrugës së Elbasanit”. Në kafe, nëpunësi si për të hapur bisedën i tha Gj.:
- Falja ka lindur bashkë me njeriun. Zoti fali Adamin dhe Evën që mëkatuan të parët.
- Jo, - ia ktheu pa keqdashje Gj., - Mëkati ka lindur bashkë me njeriun, Adami me Evën mëkatuan në fillim, pastaj u erdhi falja nga Zoti.
Të dy po e kuptonin se biseda ishte për kalim kohe. Pinë kafenë dhe u ngritën.
- Ku e keni shtëpinë? - pyeti Gj. nëpunësin. Ai, si pa qejf ia ktheu:
- Kam një vilë dykatëshe tek Kodra e Priftit, kam dy djem jashtë dhe e kam ndërtuar me paratë e tyre.
- Të të rrojnë djemtë dhe e gëzofsh vilën!
- Po ju? - pyeti nëpunësi Gj.
- Unë kam një shtëpi të vjetër në rrugën “Budi”, po aty ku e kam pasur shumë vite më parë, por jam i kënaqur nga jeta. Jeta është si ta kuptosh, edhe në një shtëpi të vogël ka vend për lumturi. Ndoshta do marr diçka nga paratë e burgut dhe atëherë…
* * *
Kur arritën tek ura, ata panë se në drejtim të tyre po vinte një njeri.
- Njatjetani! Si jeni zotni Gj.? Po ju A. Ç.? Po kaloni disa çaste së bashku për të kujtuar… - hëngri buzën në dhëmbë dhe iku.
- Po ky ç’na u qep? - tha i pakënaqur nëpunësi
- Jo, e ka shtëpinë andej nga unë, është jurist, njeri i mirë, - tha pa djallëzi Gj.
- Aha, por ka disa njerëz që merren me punët e tjerëve, unë merrem me timen saqë nganjëherë më quajnë indiferent. Atëherë, drekën e mirë!
- Drekën e mirë e mirupafshim! - tha Gj.
Duke ecur rrugës, Gj. po mendonte sërish. ǒmë kujton ky emër, A. Ç.? Nga burgu, nga qelia, nga hetuesia! Nejse, ç’e zgjas kot. Mirë më tha ai pak përpara, njeriu duhet të shohë punën e vet. Mori nga shtëpia.
Juristi, si u nda nga ata, i penduar për ngacmimin pa dashje, po mendonte: “Po ato të dy çne bashkë? Sindroma e Stokholmit?! Viktima, miqësi me dhunuesin e vet?! Jo, nuk ngjason. Rrugët e tyre ishin ndarë që më 1956-ën. Populli ka të drejtë kur thotë se vetëm mali me mal nuk takohen.
* * *
E martë në dikaster. U drejtua nga zyra ku do të merrte certifikatën. Trokiti. Asnjeri. Pyeti në korridor. I thanë të mos priste kot. Duhej të vinte nesër. Nëpunësi A. Ç. kishte vdekur. U habit. “E pashë që ishte i sëmurë, por jo aq sa të vdiste, - mendoi Gj. - Mendoja për grip. Vdekja nuk pyet, merr edhe njerëz të mirë edhe të këqij. Po ky ç’të jetë vallë? Po kush i njeh? Veç Zoti”.
Më mirë që nuk e dinte.
Nëntor 2008 Tonin Vasa