Të ndryshojë mendësia
Vështirësitë e Kosovës në të ardhmen s’ka dyshim se do të jenë të mëdha. Natyrisht nuk do të jenë sikurse ato që i kaluam dhe nuk do të kërkojnë sakrifica të këtilla, mirëpo që do të kërkojnë durim, përqendrim, kujdes dhe maturi të duhur politike, diplomatike e ndershmëri, kjo s’ka fije dyshimi. Mungesa e infrastrukturës, mungesa e zhvillimit ekonomik, kapitali i paktë fillestar dhe kapacitetet prodhuese që janë nën minimum, kërkojnë edhe një kohë të gjatë që të vihen në veprim, të zgjerohen dhe të aktivizohen. Trashëguam varfëri të skajshme, rrënime të mëdha të luftës dhe të gjitha pasojat që i ka një okupim gati njëqindvjeçar. Përballja me probleme të pritshme dhe me situata të papritura, po ashtu janë diçka krejtësisht normale, sepse ende nuk e kemi bërë një vit qëkur e shpallëm pavarësinë e Kosovës dhe ende jemi në konsolidim të shtetit, pra të çështjeve elementare, ruajtjes së kufijve, shtrirjes së pushtetit mbi gjithë territorin dhe ballafaqimi me pretendimet gllabëruese të fqinjit agresiv, Serbisë. Pastaj, ende jemi përballë minoritetit serb, që është dymendjesh, të vazhdojnë destruksionin që ua kërkojnë në Beograd dhe të bëhen të padëshirueshëm apo të ulin kokën dhe të jetojnë këtu ku i zuri fati.
Të gjitha këto një ditë mund të tejkalohen dhe do të bëhen çështje për histori, mirëpo para se të ballafaqohemi me të gjitha këto vështirësi ose me pjesën më të madhe të tyre, është mirë që t’i kthehemi vetes, pra të mos e akuzojmë askënd, sidomos të mos e akuzojmë okupuesin, megjithëse prapë për shumë probleme me të cilat po përballemi është fajtori kryesor i huaji, që nuk na la të ecim përpara. Ndryshimi i mënyrës së të menduarit, përgjegjësia më e madhe individuale e kolektive, sidomos individuale, sikurse ka shumë rëndësi që t’i jepet mundësi e hapësirë shumë më të madhe nismës individuale, janë fondamentet e shoqërisë sonë të të menduarit dhe të vepruarit shtetformues. Deri tash kemi menduar e vepruar më shumë pa ndjenjën dhe pa përgjegjësinë e shtetësisë, sepse nuk e patëm shtetin ose shteti ishte i huaj, armiqësor e që duhej rrënuar. Me këtë logjikë më nuk guxojmë të mendojmë e të veprojmë, sepse kjo gjë do të na hakmerret, madje për këtë duhet t’i bindim edhe grupet revolucionare të cilat mendojnë se duhet të rrënojnë dhe të fillojnë nga e para.
Prandaj, nëse duam të ndryshojmë mendësinë e të menduarit dhe të të vepruarit, çdo gjë duhet të fillojë nga organet shtetërore të të gjitha instancave, pra që nga zyrat më të vogla dhe më të ulëtat e hierarkisë shtetërore e deri te ato më të lartat. Asnjëra nga këto zyra apo institucione nuk duhet të plotësohet me njerëz që nuk i përkasin asaj strukture apo atij institucioni a zyre vetëm e vetëm sa për të zgjidhur probleme sociale, sepse problemet sociale i zgjidhim duke u dhënë ndihma njerëzve që kanë nevojë për to, pa e mbufatur administratën me parazitë e joprofesionistë. Të tillëve jo vetëm se nuk u bëjmë shërbim të mirë kur i punësojmë aty ku nuk duhet, sikurse që i bëjmë dëm të madh institucionit, por i ngufasim dhe i bëjmë fatkeqë, sepse ata nuk do ta gjejnë veten kurrë aty ku nuk duhet të jenë, kështu që ose merren me intriga, ose bëjnë pengesa të vazhdueshme. Ndërkaq, ata që do të duhet të jenë aty dhe të japin kontributin e tyre, ose janë në një vend tjetër ku nuk mund të bëjnë shumë, ose janë të papunë!
Me një fjalë, ata që e bëjnë përzgjedhjen e strukturës së aparaturës shtetërore në radhë të parë duhet ta kenë parasysh profesionalizmin, pastaj lojalitetin ndaj institucionit e jo ndaj individit a grupit që ia bëri këtë të mirë. Deri tash përzgjedhja është bërë në mënyrë joprofesionale me presione të grupeve të interesit, e në fakt, përzgjedhjen e pjesës më të madhe të shërbimeve të administratës e të të gjitha ministrive e ka bërë UNMIK-u për faqe të zezë ose që lë shumë për t’u dëshiruar, ndërkaq, as zyrtarët tanë pastaj nuk ia prishën shumë UNMIK-ut. Ata bënë ca retushime, plotësime, varësisht nga individët që erdhën. Kështu pjesa më e madhe e nëpunësve, me disa përjashtime të rastit, është e UNMIK-ut dhe që fare pak ka të bëjë me punën që e bënë, megjithëse tashmë ka krijuar një përvojë gati nëntëvjeçare.
Administrata jonë është joefikase dhe e ngathët, me mendësi të vjetër, megjithëse nëpunësit janë të rinj, krahas faktit se disa prej këtyre institucioneve, sikurse që është gjyqësia e prokuroria, për të cilat thuhet se janë të korruptuara, të shkelura dhe të frikësuara, dhe kështu, jo rrallë flitet se keqbërësin dhe kriminelin e lëshojnë brenda disa javësh a muajsh, mjafton që dikush ta shkelë instancën e duhur apo t’ia çojë telefonin. Me këtë prokurori e me këtë gjyqësi ne nuk na lejojnë të dalim nga kufiri, pra e kemi të kotë të synojmë Bashkimin Evropian, sepse nuk do të na besojnë dhe nuk e zbatojmë ligjin. Me këtë edhe nuk kemi asnjë mundësi ta luftojmë krimin e organizuar e korrupsionin, kur vetë ato organe të cilat do të duhej ta luftonin korrupsionin, janë të zhytura në këtë ves. Organet e tjera pos që janë në njëfarë shkalle të ngathëta, janë joefikase, sepse janë të dirigjuara nga instancat e grupeve të interesit, duke e injoruar apo duke e shkelur tërësisht interesin e shtetit dhe interesin e përgjithshëm të pjesës më të madhe të popullatës, që është e njëjta gjë.
Mendësia duhet të ndryshojë edhe në mënyrën e edukimit e të arsimimit, kështu që duhet të bëjmë një arsimim me parametra e me nivel të duhur të shteteve, bashkësinë e të cilave e synojmë, sepse me institucione e administratë orientale, lindore, nuk e shkelim dot oksidentin dhe qytetërimin, sikurse që nuk na lejojnë të hyjmë në këto institucione nëse nuk transformohemi gati rrënjësisht.