E Diel, 1 Nëntor 2026

Zotërinj ambasadorë, jeni me krimin apo me drejtësinë?!

Nuk e di sa zemër të fortë mund të kishte një i huaj, bie fjala, italian, gjerman, amerikan apo një tjetër nga cilido shtet, mjafton që të kishte kaluar qoftë edhe një herë në ëndërr regjimin e komunizmit, kur të dëgjonte sot, pikërisht nga goja e atyre që e mbështetën dhe e zbatuan teorinë e shfarosjes dhe grabitjes në masë, me anë të teorisë së diktaturës së proletariatit, gjoja se hapja e arshivës sekrete të krimeve të komunizmit 45-vjeçar, i paska kaluar koha dhe tani, pas 16 vjetësh, bëhet vetëm për qëllime hakmarrëse ose për të pastruar kundërshtarët politikë, në kundërshtim madje edhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Çfarë marrëzish dëgjojmë nga goja e burracakëve, që deri dje ulërinin si tellallë për të bindur njerëzit se ishin “fenerë ndriçues për Evropën dhe për botën”, ndërsa sot, qajnë e lëngojnë pa i prekur njeri me dorë, duke u ankuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, tamam si fëmijët e zënë në faj dhe luten e përgjërohen për të mos i ndëshkuar e për të mos i diskretituar në sy të botës. Këta janë palo burra! Qofshin edhe të brezit të ri, të pafajshëm, të papërzier me krimet e komunizmit, ndryshe pse nuk pranojnë atëherë për të dënuar krimet dhe poshtërsitë e diktaturës, që të kenë pastaj të drejtën morale, ligjore, fetare për të kërkuar zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të konventave evropiane e ndërkombëtare. Mos vallë këto të drejta dhe konventa qenkan vetëm për kriminelët e diktaturës dhe bijtë e nipërit e tyre që bënë “kërdinë” me popullin shqiptar për të ndërtuar “parajsën” në Shqipëri? Po për ata mijëra e miliona njerëz, burra, gra, fëmijë, të rinj e të reja që kaluan nën satërin e diktaturës më mizore në botë, pjesa më e madhe e të cilëve u lindën e u rritën nëpër “gulakët” e stalinizmit aziatik, nën sundimin pa din e iman, më barbarisht edhe nga regjimet e mesjetës, nuk paska drejtësi për t’u dhënë, të paktën, morale para se të vdesin? Por vetëm për diktatorët dhe pasardhësit e tyre paska në këtë botë gëzime dhe të mira materiale, qoftë nëpërmjet krimeve e grabitjeve çnjerëzore, qoftë edhe ndërmjet ligjeve të demokracisë?

Jam i bindur se çka i shqetëson dhe i bën shqiptarët të ulërijnë, pa dyshim është tmerri kur dëgjojnë nga goja e njerëzve që përfaqësojnë institucione prestigjioze shtetërore apo ndërkombëtare, gjame të mbrujtur me parimet e drejtësisë, kur japin pa asnjë brejtje në ndërgjegje këshilla se si duhet të trajtohen kriminelët e regjimit komunist, si duhet pasur parasysh, sidomos për të mos prekur “të drejtat e tyre njerëzore” dhe veçanërisht për të mos i ndëshkuar e diskredituar ata, pa marrë edhe pëlqimin e tyre konsensual...!!!?

O Zot i madh!

Por për cilët u dashka bërë kujdes, zotërinj ambasadorë, që të merren vendime konsensuale? Për ata që i ka dënuar e gjithë bota si hartues e zbatues të një regjimi kriminal, egërsia e të cilëve ua kalonte edhe nazistëve e fashistëve (të cilët, në fund të fundit i bënë krimet e tyre në gjendje lufte, ndërsa krimet e komunizmit u kryen në kohë paqeje!) apo për ata që, edhe pse nga strategjia e gabuar e shteteve perëndimore, mbijetuan me lavdi dhe pushtet absolut edhe pse regjimi barbar i tyre u shemb me turp e urrejtje? Përse vallë nuk dëgjojnë shqiptarët e masakruar nga diktatura një fjalë, qoftë edhe në një rast të vetëm, nga Ju, zotërinj ambasadorë, apo qeveritë Tuaja, se si vallë ka shkuar fati këto 18 vjet në pluralizëm i njerëzve që u persekutuan me dekada të tëra nga diktatura komuniste, sidomos për ata që arritën të shpëtonin, të paktën, nga kthetrat e këtij përbindëshi, vallë a u zbatuan e po zbatohen konventat Tuaja për të drejtat e njeriut? A lejoni Ju, zotërinj të nderuar, që në shoqëritë Tuaja demokratike të rrëfehen me nderim e nostalgji bëmat e Hitlerit apo të Duçes, e ku ta di unë ç’armiqve kombëtarë e ndërkombëtarë që ju keni shpallur nëpër vendet Tuaja, ndërkohë që diktatori më i urryer i Evropës, pse jo edhe i botës, Enver Hoxha, vazhdon të jetë këtu tek ne, edhe sot e kësaj dite, “Hero i Popullit” dhe dishepujt e tij, të llangosur po aq me gjakun e pafajshëm të qindra mijëra bashkëkombësve, të cilët po vdesin një nga një prej moshës, përmenden dhe varrosen të nderuar e të respektuar, po aq siç ishin edhe atëherë, kur populli i duartrokiste dhe i brohoriste nga frika dhe uria? Por për bijtë e nipërit e tyre a keni dijeni si jetojnë e ku jetojnë?

Është e pafalshme zotërinj të nderuar ambasadorë evropianë e të tjerë përparimtarë demokratë të botës, për Ju që keni ardhur për të na mësuar e demokratizuar, që nuk e dini ç’ishte diktatura komuniste në Shqipëri dhe nga padija vazhdoni të kërkoni diskutime të gjata dhe konsensus me ata që kurrë nuk ditën dhe s’e dinë ende ç’është konsensusi, pale falja dhe drejtësia, për ata që sunduan barbarisht dhe pretendojnë të qeverisin, gjoja me brezin e tyre të ri, duke u qaravitur si kalamaj para jush. Në vend që Ju të qortoni Parlamentin dhe qeverinë shqiptare pse nuk kanë qenë konsekuentë dhe të vendosur qysh më parë për miratimin dhe zbatimin e ligjit për dënimin e krimeve të komunizmit, përkundrazi po kërkoni zvarritjen e ligjit historik për Shqipërinë, me vjegën, gjoja se duhet ende kohë për debate dhe shqyrtime, ndërkohë, me sa duket, o nuk e dini, ose nuk doni ta dini që debatet dhe diskutimet për krimet e komunizmit kanë 18 vjet që janë bërë e stërbërë sa shqiptarëve, tashmë, u ka ardhur mu në majë të hundës diskutimi për krimet e diktaturës. Pastaj, zotërinj ndërkombëtarë, çfarë paska për të diskutuar e për të rënë në konsensus për dosjet e spiunëve dhe krimet e bëra nga ata apo paraardhësit e tyre, kur të gjitha janë të dokumentuara me shkresa dhe vendime gjyqësore, si edhe nga vetë populli shqiptar që i përmbysi? Vetëm miratimi i “Ligjit për dënimin e krimeve...” i pengon për t’i hapur e ndëshkuar, siç e meritojnë. Apo nuk Ju intereson ende, siç ka ndodhur deri më sot, që Shqipëria të mos dalë nga status quo-ja e këtyre 65 vjetëve, nën sundimin e kriminelëve komunistë...

*Ish-i burgosur politik. Letër e hapur drejtuar ambasadorëve të akredituar në Shqipëri

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›