Joseriozitet kulturor
Arti nuk ka gojë, por ka gjuhë specifike. Ai të bën të ndjeshëm dhe të prek në instinktin njerëzor. Qasja e drejtë artistike e begaton jetën e njeriut gjatë rrugëtimit nëpër sfidat e jetës, duke krijuar një përkufizim dhe filozofi të qartë për kulturën dhe rëndësinë e saj. Muzika është art kohor që përcjell te publiku emocione të atilla që nuk mund të përçohen përmes arteve të tjera (sepse gjen rrugën e depërtimit shumë më lehtë dhe me pak vështirësi). Këto emocione, kësaj radhe tek shtresa intelektuale i përcolli Kori dhe Filarmonia Opera e Kosovës, me performim para publikut prishtinas, të një niveli jo të kënaqshëm estetik. Faktor kryesor që e bën një paraqitje të suksesshme, është qasja e duhur dhe e drejtë ndaj artit dhe shtresës intelektuale, që ata mos ta ndiejnë veten e tyre të fyer. Performimi dha një pasqyrë të një niveli të ulët të individëve që performuan (si atyre vokalë, gjithashtu edhe instrumentalë). Së pari, ishte një vetëkënaqësi nga ana e solistëve, që është një gjë e dëmshme për ta, por edhe për ngritjen e tyre artistike në të ardhmen (sepse mund të performosh çdo ditë e të mos jesh në nivel të barabartë me artistët e cilitdo vend tjetër). Ne vetëm kënaqemi e kënaqemi. Urojmë njëri-tjetrin pa e çarë kokën me të vërtetë se si ishte paraqitja jonë (dhe vallë këtë e bëjmë nga mosazhurnimi dhe ndjenja për të bukurën në art). Nga vetëkënaqësia kemi vetëm dëme e assesi nuk jemi realë dhe të përgjegjshëm. Serioziteti është ilaçi më i preferuar për t'iu shmangur të dëmshmes. Me punë, angazhim, seriozitet dhe me përkushtim, por pa vetëkënaqësi të tepruar mund të arrijmë atë që bota e qytetëruar e ka arritur me shekuj. Edhe pse koncertin e dirigjoi një njeri me mjaft vlera, me një diapazon të gjerë artistik, me një shpirt të madh prej artisti, i cili koncertoi nëpër shumë vende të botës, kësaj radhe nuk pati rastin që të bëjë gjënë më të mirë dhe e dini pse? Sepse artistët kosovarë ishin të tejkënaqur me atë që e shpalosën, duke u bërë pjesë e një gjenerate gati të dështuar (me përjashtim të një pakice prej tyre). E themi këtë sepse vetëm krahasimi të jep mundësinë më të mirë për të qenë pjesë e një rendi me vlerë estetike. Solistët kosovarë duhet të jenë vetëkritikë e të mos paraqiten me shumë vetëkënaqësi, e pak seriozitet, sepse e fyejnë veten dhe të tjerët. Neve na mungon shumëçka që botës së qytetëruar nuk i mungon. Atëherë duhet të parashtrohen disa pyetje. Çka u mungon njerëzve në Kosovë? Pse nuk kemi seriozitet? Pse i marrim gjërat vetëm shkel e shko? A me të vërtetë na duhet një riformim edukativ? Këtyre pyetjeve mund t'u përgjigjemi me shumë pak fjalë. Na mungon kultura për punë! Vetëm atëherë kur jemi në gjendje t'i përballojmë me sukses kërkesat estetike, do të bëhemi për lakmi. Pika më e diskutueshme e koncertit, ishte paraqitja tejet e dobët e Korit të Filarmonisë së Kosovës. Kjo i dha një imazh të zbehtë këtij evenimenti të organizuar për nder të festës së Vitit të Ri. Një gjë është e qartë, se nuk mungojnë kuadrot solistikë (përveç atyre instrumentalë), por me ta duhet të punohet e të punohet, pa ndonjë lëvdatë të tepruar, sepse performimi i tyre e tregoi të kundërtën e asaj që jemi mësuar t’i dëgjojmë. Performime të tilla ndoshta nuk do të kemi në të ardhmen, sepse me të vërtetë i kemi kaluar të gjithë kufijtë e artit dhe këtë e kemi bërë për së mbrapshti, duke i dhënë vetes një komoditet, ndërsa po ta kthejmë shikimin kah e vërteta reale, atëherë? A mund të jemi ne në hap me vendet e tjera? Kjo mbetet të shihet në të ardhmen.
*Autori është magjistër i estetikës dhe publicistikës
*Autori është magjistër i estetikës dhe publicistikës