E Diel, 1 Nëntor 2026

Guro Zeneli: Ju tregoj intrigat e presidiumit

Guro Zeneli,- një emër i shumënjohur i administratës së lartë të shtetit të djeshëm komunist. Ai është personi që ka pasur komunikimin më të afërt me ish-liderin e fundit komunist, Ramiz Alia. Saktësisht, ai ka qenë sekretari dhe një nga këshilltarët më të afërt të Alisë, që në periudhën që ai shkoi President i Kuvendit Popullor, pra kur Enver Hoxha ishte akoma gjallë. Me këtë intervistë ekskluzive të “Gazeta Shqiptare”, ai sot vjen para publikut të gjerë me dëshmi tepër interesante dhe të panjohura më parë, që hedhin dritë mbi peripecitë e skajshme që e kanë shoqëruar jetën e tij, nëpër shkëlqimet dhe rrënimet e stërmundimshme, deri sa nga gazetar lokal i Sarandës të mbërrinte në paradhomën e njeriut më të fuqishëm të shtetit. Përplasja e rrezikshme që bëri papritur me Haxhi Lleshin dhe situata e krijuar, kur në krye të Presidiumit të Kuvendit erdhi Ramiz Alia. Çfarë ndodhi në korridoret dhe zyrat e Kuvendit, kur Ramiz Alia u ul në kolltukun e shenjtë të tij. Cila ishte historia e dhimbshme e gruas së divorcuar të Haxhi Lleshit, që kishte përfunduar e internuar në fshatrat e Elbasanit. Sfilitjet e bijës së sajë për të risjellë të ëmën në Tiranë dhe ndryshimi i situatës, kur nga Kuvendi u largua Haxhi Lleshi. Porositë e Ramizit për të hequr nga Internimi ish-të shoqen e paraardhësit të tij në Presidium dhe si vijuan episodet e çuditshme pranë tij. Këto dhe të tjera, lexuesi i gjerë i “Gazeta Shqiptare” do t’i ndjeki në intervistën e parë të këtij cikli bisedash, të vetë Guro Zenelit, sekretarit dhe këshilltarit më të afërt të Ramiz Alisë.

Zoti Guro, si e vlerësoni faktin që keni qenë sekretar apo këshilltar i kreut të shtetit komunist, Ramiz Alia?
Jam i nderuar që më jepet mundësia për të folur për periudhën e punës sime të gjatë pranë Ramiz Alisë. Gjithmonë e kam konsideruar veten me fat, që kam qenë në një pozicion të tillë, pasi ajo për mua nuk ka qenë thjesht punë, por edhe një shkollë e madhe.
Në ç’kuptim e konsideroni shkollë?
E konsideroj shkollë, për vetë faktin se në çdo kontakt dhe në çdo bisedë me Ramiz Alinë, unë kam përfituar jo vetëm mënyrën e tij të veprimit dhe funksionimit si një intelektual i hollë dhe me përvojë, por edhe me mënyrat se si ai më sugjeronte të ndiqja problemet apo të kryeja bisedimet, që do të më nevojiteshin në rutinën e përditshme.
Zoti Zeneli, ndoshta për lexuesin do të ishte e nevojshme që së pari të flasim për të kaluarën tuaj apo si të thuash, CV-në tuaj, deri sa mbërritët në paradhomën e Ramiz Alisë. Pra, cila është e kaluara juaj dhe si mundët të arrini deri aty, kur kuptohet se ka qenë një pozicion që mund ta kenë synuar dhjetëra e dhjetëra të tjerë?
Unë kam lindur në fshatin Fterrë të Sarandës, në prill të vitit 1939. Në fshatin e lindjes kam kryer arsimin fillor, ndërsa atë 7-vjeçar e kam kryer në fshatin Kuç të Vlorës. Në vitin 1957 përfundova arsimin e mesëm Pedagogjik në Shkodër. Pas kësaj, u riktheva në fshatin Kuç, ku katër vjet më parë kisha përfunduar arsimin 7-vjeçar.
Përse në Kuç dhe jo në fshatin e lindjes?
Sepse, si mbarova arsimin e mesëm pedagogjik, u caktova në trupën pedagogjike, për të dhënë mësim në shkollën e Kuçit.
Sa vjet punuat në atë fshat?
Punova plot tre vjet si mësues. Pra në vitet 1957-1960. Pas tre vjetësh më doli e drejta e studimit për të ndjekur Universitetin e Tiranës. Kështu që në vitin 1960, unë fillova studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Në universitet ndërkohë u specializova edhe për Pedagogji dhe për Psikologji Speciale. Universitetin e përfundova në vitin 1964.
Ku vijoi jeta tuaj pas diplomimit?
Si u diplomova, menjëherë u caktova në rrethin e Vlorës, ku për një vit, në 1964-1965-ën, punova si mësues në shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”
Pse vetëm një vit, a nuk mbaruat për Mësuesi?
E vërtetë, por fati dhe rasti e deshi, që pas një viti unë të kaloja me punët e rinisë, që në atë kohë kishte rëndësi të veçantë, prandaj ishte një privilegj dhe fat që unë kalova në atë sektor, aq më shumë që isha kreu i organizatës së rinisë së atij rrethi, apo Sekretar i Parë i saj, siç ishte emërimi zyrtar.
Vazhduat gjatë me punët e rinisë?
Për hir të së vërtetës, nuk vazhdova gjatë. Ishte një incident që më ndodhi mua, siç ndodhnin rëndom në atë kohë të vështirë, për liri mendimi dhe veprimi, i cili bëri që të përfundoja mësues në fshatrat e Sarandës, madje më konkretisht në fshatin Finiq të Sarandës, i cili sot është i rrethit të Delvinës. Por vetëm dy vjet më vonë, fati më ndihmoi sërish. Jo vetëm që u afrova në qytetin e Sarandës, por kalova drejtor i Shtëpisë së Kulturës të qytetit, detyrë që e kreva deri në vitin 1971.
Pse deri në vitin 1971?
Sepse pikërisht në vitin 1971, u promovua gazeta lokale “Fitorja”, e cila do të shndërrohej në një faktor të rëndësishëm edukimi dhe emancipimi për shoqërisë sarandjote. Pikërisht në atë gazetë unë kalova menjëherë gazetar i saj. Por vetëm pesë vjet më vonë, do të kaloja në detyrën e drejtuesit të asaj gazete, pra në detyrën e Kryeredaktorit, që për kohën ishte shumë. Ishte besim dhe vlerësim nga ana e autoriteteve, që më besuan një detyrë të tillë, pasi ishe në qendër të të gjithë jetës së rrethit të Sarandës. Pas kësaj, një fat apo shans tjetër jo vetëm i madh, por as i shkuar ndërmend, më ishte rezervuar. Pa pritur dhe pa kujtuar, përfundova në Presidiumin e Kuvendit Popullor, madje drejt e në paradhomën e presidentit Haxhi Lleshi, si ndihmës direkt i tij.
Si ka mundësi? Si ndodhi, të lutem ma përshko më hollësisht?!
Ka qenë viti 1982. Muaji shkurt. Unë isha kryeredaktor i gazetës “Fitorja”. Në një moment më merr në telefon sekretari i Komitetit të Partisë dhe disi i preokupuar, madje edhe me një lloj shqetësimi, më pyeti se mos kisha shkruar ndonjë shkrim kritik për punën e këshillave!.
Unë i thashë se për momentin nuk kisha shkruar gjë, por i kërkova se përse po ma bënte atë pyetje?!
“Nuk të pyes kot,– ma ktheu autoriteti i dytë i Komitetit të Partisë së Rrethit, - të kanë kërkuar të shkosh menjëherë në Presidiumin e Kuvendit Popullor”. “Nuk të thanë asnjë arsye?”,- ia ktheva unë, këtë herë i çuditur për faktin se kujt i kishte rënë në mend për mua, që të më kërkonte në mënyrë të tillë në strukturën më të lartë të shtetit. “Nuk më thanë asgjë më tepër, përveç faktit se të martën në orën 08.00 duhej të paraqitesh aty.”,- përfundoi telefonuesi i rëndësishëm. Vetëm kur mbërrita ku më kishin kërkuar, kuptova se përse ishte shqetësuar sekretari i Partisë në Sarandë, kur më kishte dhënë njoftimin e çuditshëm.
Përse?
Sepse presidiumi i Kuvendit Popullor atëherë mbulonte edhe këshillat e pushtetit në bazë. Pra ideja që më kërkonin atje, sipas tij, mos ishte ndonjë rast vërejtjeje apo saktësimi të ndonjë shkrimi problematik që mund të kisha bërë unë. Por e vërteta është, se unë për momentin nuk kisha bërë ndonjë shkrim të tillë në atë periudhë, kështu që përjashtohej ai fakt, por që gjithsesi më kishte futur në mendime të thella dhe shqetësuese. Nuk e kuptoja se përse mund të më kishin thërritur vetëm mua. Si ma kishin mësuar emrin dhe për çfarë mund të bëhej fjalë etj., etj. Ishte një duzinë me pikëpyetje, që më shpërthenin vazhdimisht në kokë dhe që nuk më linin të qetë.
Dhe përse ju deshën?
Më emëruan menjëherë, ndihmës personal të presidentit Haxhi Lleshi. Ashtu siç e kisha menduar, para se të paraqitesha në Tiranë, nuk e kisha menduar se do të vinte një moment i tillë për karrierën time. Di që kisha punuar dhe punoja me një përkushtim të jashtëzakonshëm.
E mësuat më mbrapa, se si ju kishin pikasur dhe kush mund t’ju kishte propozuar?
Sigurisht që e mësova. Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit, Jashar Menzelxhiu në një bisedë që kishte bërë me Haxhi Lleshin, ndoshta telefonike, i kishte thënë që t’i rekomandonte një djalë të mirë dhe të penës që ta merrte në zyrën e tij si këshilltar, se kishte nevojë për një djalë të shkathët dhe të zgjuar. Pas kësaj, Jashari që më kishte vlerësuar herët, i kishte dhënë emrin tim. Kështu, unë përfundova aty ku të thashë.
Kam parasysh se ju keni një periudhë të gjatë që keni punuar pranë Ramiz Alisë. Sa kohë ndenjët si këshilltar i Haxhi Lleshit dhe si kaluat te Ramiz Alia?
Kalimi u bë shumë normal dhe më se rastësisht. Konkretisht, unë në shkurt të vitit ‘82, siç ju shpjegova erdha nga Saranda për të kaluar këshilltar i Haxhi Lleshit. Por Haxhiu nuk do të rrinte më shumë se deri në nëntor të atij viti në detyrë, për faktin se do të dilte në pension. Kështu që në nëntor erdhi Ramiz Alia. Rrjedhimisht unë tani isha këshilltar i Ramiz Alisë, kur ai ishte Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo bëri të njihesha mirë në punë me të, gjë që bëri që unë të isha pranë tij deri në ditën e fundit të punës, madje do të thoja edhe deri në ditën e fundit të jetës.
Thatë se Haxhi Lleshi ju mori që nga Saranda për të punuar si këshilltar pranë tij. Pavarësisht se ju nuk ndenjët as një vit me të, kush është puna që ju ngarkoi dhe çfarë përshtypje krijuat me detyrën e re?
Shiko, e vërteta është se Haxhi Lleshi kishte një emër të madh, që e kishte sjellë që nga koha e luftës. Njihej si trim i shquar, por edhe punëtor i madh në detyrë, por unë nuk u ndjeva aq mirë kur shkova pranë tij.
Si ta kuptoj?
Por që muajt e parë unë u “përplasa” keq me të. Ai kishte kërkuar një njeri jo vetëm punëtor, por edhe një njeri besnik tradicional, pra që të mos diskutonte asgjë që i rekomandohej, pavarësisht ngarkesës së problemeve që mund të të shkaktonte.
Ju lutem, më qartë.
Më konkretisht, në atë kohë Myslym Peza kishte përgatitur për botim një libër kujtimesh dhe historik. Ai projekt i kishte kaluar edhe Haxhi Lleshit. Dihet që këtu hynin xhelozitë dhe smirat e brendshme, që unë nuk mund t’i kuptoja. Haxhiu ma kaloi mua atë libër ta shikoja nga ana letrare dhe nga konfigurimi i ngjarjeve, gjë që unë nuk mund ta pranoja, se e njihja jetën dhe luftën e detajuar të Myslim Pezës. Kështu që i thashë se unë nuk mund të isha i saktë në një reçencë të tillë. Pas kësaj ai shprehu pakënaqësi të dukshme ndaj meje. Ai pas kësaj u revoltua dhe i tha Syrjait që më kishte rekomanduar, se pse i kishte thënë se unë isha kokulur etj., etj.
Pastaj fati juaj e deshi që erdhi Ramizi?
E vërteta është, se jo se unë nuk kisha disfaksion që punoja pranë Haxhi Lleshit, por që gjithsesi arsyeja që unë ndenja në ato struktura, ishte se aty erdhi Ramizi dhe natyra e tij e bënte më të favorshme punën time në atë pozicion. Ai kishte tjetër natyrë. Ishte shumë i komunikueshëm. Kishte tjetër takt.
Nuk e pati problem të punonte me ju, që ishit pjesë e paraardhësit?
Këtu do të veçoj një episod. Kur erdhi Ramizi, e largoi fare kabinetin e Haxhi Lleshit apo më mirë të them u largua i gjithë ekipi, ndërsa për mua u shpreh: Në kabinet do të mbaj vetëm Guron.
Mos i jep rëndësi vetes më shumë se ç’duhet ?
Nuk i jap aspak, se s’ka të bëjë me magallomani, por me besueshmëri, për faktin se ty do të të duhej të flisje shumë herë në emër të Ramizit. Madje do të prisje edhe shumë njerëz në emër të tij.
Do të dëshiroja të më flisnit pak, se si filloi puna tuaj me Ramiz Alinë apo më mirë të shprehesha, çfarë ndryshimi pati procedura tuaj e punës, kur në dikaster kishte ardhur një shef i ri?
E vërteta është, se me ardhjen e Ramizit ndryshoi tërësisht frymëmarrja në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai i dha tjetër frymëmarrje. Kishte një stil dhe nivel krejt tjetër nga paraardhësi.
Nga e filloi punën në Presidium?
Unë nuk e mbaj mend saktësisht se kush ishte urdhri apo shkresa e parë e Ramiz Alisë, kur erdhi në krye të Presidiumit të Kuvendit, por di që ato ditë një nga problemet që ka zgjidhur ka qenë ai i ish-gruas së Haxhi Lleshit, e cila nuk e kishte zgjidhur dot te ish-burri i saj, Haxhiu.
Çfarë problemi dhe si ishte rasti i ish-gruas së Haxhi Lleshit?
Haxhi Lleshi kishte pasur një incident në familje. Ai dikur kishte ndarë të shoqen. Paskëtaj, ajo ishte internuar bashkë me të birin, i cili me sa më kujtohet e kishte emrin Reshit.
Pse u internua, vetëm se u nda me Haxhi Lleshin? Pra fjalën e kam, që vetëm se pësoi divorc përfundoi në internim?
Tani, fjala është se ajo pas divorcit shkoi në internim. Thuhet se ndikoi Haxhiu, por sa janë të vërteta nuk dihen. Prandaj unë po të them atë që dihet, që ish-gruaja e Haxhi Lleshit ishte në internim bashkë me të birin.
Pse me të birin?
Në fakt është internuar ajo dhe jo i biri. Por i biri i saj i shkoi mbrapa se nuk donte të ndahej me të jëmën.
Ç’lidhje ka kjo me Ramizin?
Është fjala kur ajo ka kërkuar për kthim nga internimi, ku kishte bërë shumë vite. Se sa, nuk jam i saktë dhe nuk e kam mirë parasysh, por kishte shumë kohë që jetonte aty. Në të vërtetë ka qenë një vajzë e saj në Tiranë, e cila bisedonte dhe i qante hallin drejtoreshës së ligjshmërisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor, që ishte Liri Gjoliku. Lirinë ajo e kishte mikeshë të ngushtë dhe diskutonte me dhimbje se si do t’ia bënte të sillte të ëmën nga internimi, ndërkohë që babain e kishte Kryetar Presidiumi. Liria e ndjente dhe shqetësohej shumë për të. Këtë gjë ma kishte thënë dhe mua. Por as që bëhej fjalë të bënim ndonjë përçapje për rikthim nga internimi.
Dhe si ndodhi?
Tani dalim te ajo pyetja tuaj, që kishte lidhje me Ramizin. E vërteta është, se gjithçka u rregullua kur në krye të Kuvendit erdhi Ramizi. Mbaj mend, që menjëherë sa Ramizi zuri vendin, Liri Gjoliku më tha se donte edhe mbështetjen time, se kishte vendosur që të ndihmonte fuqishëm ish-gruan e Haxhiut apo të jëmën e mikeshës së saj. Ashtu u bë. U rregullua një takim i përshtatshëm me Ramizin dhe iu tha problemi dhe mendimi që kishte Liria. Pas kësaj, pavarësisht se Ramizi nuk është se shkonte mirë me Haxhiun, dha porosi që ish-gruaja e tij të rikthehej në Tiranë. Kjo gjë na dha krahë: Jo vetëm që kishim ndihmuar njeriun që e meritonte ndihmën tonë, por konstatuam te Ramizi cilësi të veçanta humane, që nuk i kishim hasur te të tjerët.
( Vijon numrin e ardhshëm )

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›