“Gurorja na dëmtoi shtëpitë”
KORÇE - Banorët e Gollobërdës në Korçë ankohen se gurorja mbi fshat po iu shkatërron shtëpitë. Fshati i tyre ndodhet në rrëzë të vargmalit të Ivanit, në shpatet e të cilit prej vitesh funksionon një gurore që prodhon material ndërtimi e inerte. Kjo gurore është shumë afër Gollobërdës, çka ka tronditur tokën dhe plasaritur të gjitha ndërtimet në fshat. Reja e tymit që del pas shpërthimit mbulon gjithçka, duke dëmtuar rëndë ajrin e për pasojë edhe shëndetin e njerëzve. “Gurorja mbi fshat, na ka krijuar shumë shqetësime. Në banesat tona nga tronditja janë krijuar plasaritje. Ndonjë ditë do të na zënë brenda”, u shpreh 65-vjeçari Ahmet Gura. Edhe shkolla e fshatit ka pësuar dëmtime. Prindërit u ankuan dhe Drejtoria e Arsimit vendosi që të kërkojë ndërtimin e një shkolle të re. Banorët e Gollobërdës janë ankuar në Komunën e Pojanit dhe në Prefekturë, por zëri i tyre deri tani nuk është dëgjuar, ndërsa shpërthimet vijojnë. j. gj.