E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes tre adoleshentëve, plagosen rëndë për një vajzë

 

DURRES - Një sherr i shkaktuar për motive ordinere, për pak sa nuk degjeneron në një tragjedi. Tre të rinj durrsakë, 18-vjeçari A. Hyseni, 19-vjeçari R.Grota si dhe një tjetër person i paidentifikuar që mbante anën e Hysenit janë përleshur me thika dhe kaçavida në kryqëzimin e shkollës “Bedrie Bebeziqi”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13 e 20 minuta, në lagjen nr. 4 të Durrësit dhe shkak dyshohet se ka qenë një vajzë. Në këtë moment, sipas të dhënave të policisë, A. Hyseni, banues në lagjen nr 2, ka tentuar të vrasë të riun R. Grota. Për këtë ka pasur edhe ndihmën e një miku të vet, i cili pas ngjarjes është larguar pa lënë gjurmë. Mendohet se dy shokët i kanë dalë përpara dhe janë përleshur me të duke përdorur edhe armët e ftohta. Të rinjtë i kanë dhënë kundërshtarit Grota 5 goditje në zona të ndryshme të trupit. Ata janë përleshur dhe goditur, por edhe Grota si duket ka qenë i parapërgatitur rreth rrezikut që mund të kishte përpara, pasi ai ishte i armatosur me një kaçavidë. I gjendur nën goditjet me teh thike, Grota nxjerr kaçavidën dhe në përleshje e sipër godet A.Hysenin, duke i shkaktuar plagë të rrezikshme në kokë. Plagët janë vlerësuar si tepër të rënda për jetën e 18-vjeçarit nga mjekët e Durrësit, të cilët e transportojnë me urgjencë drejt Tiranës. Ndërsa i plagosuri tjetër, sipas të dhënave të policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është shtruar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit me 5 plagë thikash, të marra në zona të ndryshme të trupit. Prokuroria ka hapur proces penal për veprat “Plagosje të rëndë” dhe “tentativë për vrasje”. Sipas hetuesve, mes të rinjve kishte ndodhur një sherr banal përpara pak ditësh dhe askush prej tyre nuk u përpoq ta shmangte. Policia po punon për zbardhjen e motiveve që solli përplasjen me mjete të mprehta, duke rrezikuar dhe jetën e vetë agresorëve.                                 o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›