E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gushti i thyer i socialistëve

Gjorgu i PS sapo ka vrarë Edi Ramën e 2005-ës, asokohe kryebashkiak i Tiranës që kandidonte për kryetar të PS. Asokohe - në vitin e Thyer të 2005 për PS – Fatos Nano humbet zgjedhjet dhe Edi Rama deklaron në intervistën e “ZP” (rastësisht asokohe kryeredaktor ishte Braçja i sotëm - i vetmi i pandryshuar ndër vite).

Ja deklarata e asokohe e Edi Ramës që kandidonte për kryetar i PS. – “Partia  në demokraci është bashkim vullnetar të barabartësh midis tyre në të drejta... Në aspekt moral e simbolik fitorja është e të gjithëve, kurse humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili merr mbi supe përgjegjësinë morale në emër të të gjithëve....”

Në këtë gusht të thyer të 2009-ës për PS, Gjorgu socialist – Edvin Rama mbart mbi supe  të vrarin – përgjegjësinë morale të udhëheqësit të PS - dhe  i vetëm, rrugëton për te Kulla e Oroshit - në  fundgushtin e Kongresit të PS-s.

Gjorgu i socialistëve vrau në Asamblenë e socialistëve, përgjegjësinë morale të udhëheqësit të PS, që nuk pranon ndershmërisht humbjen dhe largimin burrëror nga Udhëheqja e partisë. Gjorgu i socialistëve shqiptarë - Edvin Rama - për herë të parë në qindravjeçarët e Kanunit Shqiptar –është bërë besëthyer!!! PS në Demokracinë shqiptare - sikurse edhe Rrafshi- është përjashtuar  nga Edvin Rama nga çdo ligj, nga çdo normë partie, nga çdo statut partiak dhe në PS mbizotëron Kanuni i kryetar Edvinit “Jam unë, pa jeni ju!”. Gjorgu i Gushtit të Thyer - Edvin Rama ka shtënë mbi bashkimin vullnetar të të barabartëve (socialistë) midis tyre në të drejta, derisa sot në Gushtin e Thyer rrugëton për te Kulla e Oroshit - te kongresi – vetëm e vetëm që të riuzurpojë PS. Kanuni i egoizmit të Edvinit ka vrarë çdo moralitet politik, çdo ndjenjë përgjegjësie partiake, çdo normë demokratike në parti, dhe rrugëton i vetëm (në bashkëshoqërim me hijet e Braçajve e të Ruçajve) në Kullën e Oroshit - te kongresi. Kanuni i egoizmit të Edvinit mbart në kongresin e PS në fundgushtin e Thyer edhe kufomën e moralitetit politik “Një anëtar- një votë”. Gjorgu- Edvin Rama në ndërkohën e udhëheqjes të tij në PS moralitetin politik “Një anëtar-një votë” ia mirëbesoi ministrit të brendshëm të PPSH – Gramoz Ruçit dhe kufoma politike mbeti në Lushnjë, ku me puç partiak shkarkuan “Zhukovin” socialist, kryetarin e socialistëve lushnjarë, pasi guxoi të kritikonte të “pagabueshmin” envero-komunist, Edvin Ramën.

Gjorgu i Gushtit të Thyer të socialistëve - Edvin Rama, rrugës për në Kullën e Oroshit- Kongresin e PS - kalon nëpër “besa” të thyera. Anëtarë të kryesisë të PS mbledhin kudo e ngakushdo firma që të shkarkojnë besëthyerin partiak- Edvin Ramën. Kudo, nëpër rrugën e Kongresit të fundgushtit të Thyer për socialistët, Gjorgu i socialistëve Edvin Rama ndesh edhe socialistë që rrugëtojnë të sakatuar, e që mbartin mbi shpinë thesin e shpuar të premtimeve politike të Edvin Ramës.

Premtimet politike të bashkimit të së majtës, të Dialogut me Shqipërinë janë si hijet e fantazmës hamletiane të helmuar nga boshësia politike e Gjorgut socialist Edvin Rama që bashkëudhëtojnë me socialistët e sakatosur për në Kullën e Oroshit - në fundgushtin e Thyer të kongresit socialist. Thesi i premtimeve politike të Edvin Ramës, ashtu i shpuar  u rëndon  edhe më shumë socialistëve nga lagështia e shirave të intrigave politike që ndërthurin Braçianët e Ruçianët.

Në rrugën e Gushtit të Thyer të kongresit të socialistëve  kufoma e gjendur në mes të rrugës   në vend të gjakësit  pa ca njolla të bardha e përmes tyre kaun e zi që spo i shitej e spo i shitej dot...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›