E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marifetet e Ramës për të qendruar kryetar

“Hipokrizia është homazhi që i bën vesi virtytit” - Laroshfuko - 

Ithtarët e filizofísë së dhunës nuk i njohin kufi paturpësísë. Makiavelizmi i tyre e kapërcen motivin “qëllimi justifikon mjetet”. Kush nuk ka vlera, tenton t’u imponohet të tjerëve me anë të pushtetit. Para devotshmërisë ndaj tij komunizmi nuk çmonte merita të tjera. Kalit që nuk i bindej, e përdorte në vend të gomarit. Të paaftët e bindur, i çmonte më shumë se talentet. Mjerë ai, të cilit komunizmi i diktonte aftësitë. Liría në diktaturë u pa si një përrallë e bukur. Lum kush kishte kuptuar që “Kopaçja kish dalë nga xheneti!”. E drejta quhej detyrë, ndërsa detyra, e drejtë. Art i mbijetesës qe hipokrizia. Kush s’dinte të gënjente, qe i kërcënuar. Gjithë prindërit i rritnin fëmijët për partínë. Quhej e moralshme çdo poshtërsí ndaj armikut të klasës. Spiunimi vlerësohej si besnikërí. Bindja qe  virtyti më fisnik. Vetëm majmunëria të garantonte mbijetesën. 

Asambleja Kombëtare e socialistëve u nxorri mallin humbësve të zgjedhjeve për plenumet ogurzeza të “qoftëlargut”. Ishte një model i plenumeve, ku montohej nevoja e terrorit. Terri i saj informativ nxiti krenarinë e hershme të dinjitetit fals kolektiv. Idolatria ndaj “një”-shit u paraqit aty si rinovim i “Politikës së re”. Sa më qetë u soll aty liberali vetullngrysur, aq më e madhe qe frika e “burrave të shtetit”. Të gjithë e kuptuan përse pabesia e Enver Hoxhës i bënte byroistët të gdhiheshin mbi veprat e tij. Entusiazmi i shtirë u ringjall nga një frikë e pakuptueshme. Në Asamble u manifestua uniteti i pasanikëve egoistë, të lidhur me “indulgjenca” prej liderit misionar. Të gjithë duatrokitën, madjé, edhe pa ditur arsyen. Të gjithë vendimmarrësve u mjaftonte fytyra e qeshur e Ramës së pikëlluar. Të gjithë dolën nga vetja prej gëzimit, kur humbësi mërmëriti hyrjen e partisë në parlament. Pastaj mbretëroi një heshtje, ku të gjithë kërkonin leje për t’u kollitur. Të gjithë u ndienë të siguruar, kur mbledhja u bë me dyer të mbyllura. Sindroma e frikës kishte vepruar sidomos te të kamurin e paligjshëm. Edvin Rama shtirej krenar, që ndodhej midis njerëzish, që i thoshin derrit dajë. Ndonëse gjithë sy e veshë, asnjëri nuk kuptoi nëse ai e pranoi humbjen e mandatit. As nëse do të kandidonte. Se, kush mund guxonte të pyeste hapur ? Të ngrinte dorën ? Të bënte analizë? Kur Rama vuri re fytyrat e trembura, mërmëriti për nenin e ndërprerjes së mandatit. Por fjalët e tij askush nuk i dëgjoi. Vetëm pas 9 orësh u kujtuan se ç’kishin bërë. Se kishin aprovuar një Rezolutë, që e shpinte në kalendat greke integrimin e Shqipërisë. Që “Varroste” sinqeritetin. Që këpuste lidhjet me elektoratin. Kishin miratuar, pra, mosnjohjen politike të zgjedhjeve. Kishin mohuar standartet e arritura. Kishin aprovuar një platformë sherri, që mund ta mbante shqipërínë në pelenat e pasigurisë për të nesërmen. Terrori kishte fituar mbi forcën transformuese të partisë. Frika i kishte shkuar në “hell” personalitetet e opozitës, siç i fut peshkatari cironkat e kapura në thuprën e një pishe. Ramë qyqari qeshte si triumfator, pa kuptuar ç’e kishte gjetur. Kur terrori u davarit dhe “kongresmenët” nuk po e shihnin Ramën si fitimtar; kur gazetarët s’po dinin ç’të raportonin, Rama nisi të kuptonte se punën e tij e kishte marrë lumi. Se fitorja i qe kthyer në bumerang. Se duartrokitjet e sejmenëve paskëshin qënë tallje. Se Rezoluta ishte fillimi i fundit të turpshëm, apo bumerangu i shpresave të tij. Ç’të bënte ? Të gjithë qenë larguar me bindjen se Rama qe pajtuar me disfatën. Se atij nuk i bëhej vonë për fatin e partisë. Se mohimi i standarteve prej Rezolutës së tij, qe një gabim fatal, të cilin shqitarët nuk do t’ia falnin kurrë. Se pikëllimi e kishte shpurë te porta e një ferri, ku shkruhej; “Harroji mashtrimet !”. A do të mbetej Rama kryetar i partisë? Asnjë s’e mori vesh mirë !

I mbetur pa shpresë, Rama e ktheu pllakën. Nuk e kuptonte pse vetja iu duk më e gjatë. Qeshi, sepse kujtoi ç’bëntë në kësi rastesh áti i tij shpirtëror, Enveri. Dhe i ranë ndër mend Mbledhja e Beratit dhe Konferenca e Tiranës. Pendesa e shtirë dhe marrja e fajeve mbi vete, i siguruan “komandantit” besimin e shokëve në Berat. Entusiazmi i shtirë për kritikat e hapura në Konferencën e Tiranës i krijuan apësirat për pastrimin e partisë. Dhe një mendim gjenial i vezëlliu. Ishte një nga ato gjenialitete të së keqes, që marrin më qafë popuj.  Ndaj Rama tha :”Deri sa kam në partí të korruptuar, endé nuk jam i humbur! Deri sa kam borxhlinj kokulur, jam endé “kapo”! Mos, vallë, gabova, kur ua trondita besimin? Kur mërmërita se mund të largohem? Mos donte të thosh kjo se zgjedhjet i kam humbur? Si, vallë, paskam lënë përshtypjen sikur do të rikandidoj? Unë paskam vrarë veten me duart e mia ! Nuk kisha të tjera marifete për t’u betonuar kryetar ? Shpej të lidhem me ta. T’u tregoj, siç bënte Enveri, se, gjoja pa byroistët nuk e drejtonte dot partínë. Le t’i bëj të ndihen krahët e mi. Sikur, gjoja, vetëm për ta e dua mandatin e kryetarit. Dhe filloi t’u dërgonte bisnesmenëve ndërtues mesazhe prekëse, që e bënë dhe atë vetë të përlotej. Dhe, vetëm kur bateria e celularit u shkarkua, tha me vete :”Mos, vallë, është vonë t’u bëj lavdërime? Po s’kam tjetër rrugë. Dhe dërgoi gjithë natën mesazhe patetike, që do ta kishin bërë dhe djallin t’i vinte keq për të! Kurse në mëngjes u ngushëllua tek kujtoi mësimin e Enver nastradinit, që porosiste të kombinohej kërbaçi me kulaçin!...Nuk jam keq !- tha me vete. Po Kongresi ? Edhe ai duhet zhvilluar me votime të hapura, brenda dyerve të mbyllura!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›