E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gushti ul çmimet e artikujve ushqimorë

Drejtoria e Statistikës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëri të ditur se në muajin gusht 2008 çmimet e shitjes me pakicë të artikujve ushqimorë janë ulur në rreth 64 për qind të ushqimeve kundrejt muajit korrik të po këtij viti. Çmimet e perimeve gjatë këtij muaji shënuan ulje më të ndjeshme deri në 12 për qind. Ndërsa produktet blegtorale, përgjithësisht u karakterizuan me ndryshime të çmimeve. Çmimi i qumështit paraqitet me rritje të vogël prej 0.2 për qind, çmimi i djathit të bardhë u ul 0.4 për qind dhe djathi kaçkavall 1 për qind. Çmimi i mishit të lopës e deles u ul 1 për qind, mishi i viçit dhe i pulës 2 për qind, mishi i dhisë dhe kecit 5 për qind, ndërsa me rritje rezulton mishi i derrit prej 4 për qind. Specialistët shprehen se sezoni i prodhimit ka sjellë mbushjen e tregut me këto produkte dhe si rezultat uljen e çmimit të tyre.

Ministria regjistron 192 mijë fermerë për TVSH-në

Ministria e Bujqësisë ka pajisur deri tani me kartela personale, mbi pasurinë dhe aktivitetin bujqësor, rreth 192.807 fermerë në të gjithë vendin. Ky proces bën të ditur ministria do t'i shërbejë zbatimit me efektivitet të skemës së rimbursimit të TVSH-së për sektorin e bujqësisë. Sipas informacioneve nga kjo ministri, regjistrimi i rreth 360 mijë fermave bujqësore, që janë aktualisht në të gjithë vendin, do të mundësojë krijimin e një sistemi "data base" të këtyre të dhënave, që përfshijnë sipërfaqen e tokës që ka në pronësi fermeri, llojin e kulturave bujqësore që mbjell, të ardhurat që merr nga aktiviteti bujqësor apo blegtoral etj., të cilat përbëjnë dhe elementët e kartelës individuale të çdo fermeri. Pajisja e fermerëve me kartela personale u krijon atyre mundësinë që të përfitojnë në skemën e rimbursimit të TVSH-së në masën 6 për qind për çdo produkt të shitur në mënyrë të formalizuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›