Durrës, bllokohen 10 kamionë me krom pa faturë tatimore
Drejtoria rajonale e Tatim-Taksave me mbështetjen e Task Forcës tatimore bllokuan sot paradite në portin e Durrësit 10 kamionë me rreth 400 tonë krom gjithsej për eksport, për shkak të mungesës së faturës tatimore. Drejtori i degës rajonale të Tatim-Taksave, Shkëlqim Sula, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se 10 kamionët ishin ngarkuar me krom në Bulqizë. Sipas tij, malli u bllokua, ndërsa dy drejtuesit e firmave që merren me këtë aktivitet janë gjobitur, për shkak të mungesës së faturave tatimore. Drejtori i degës rajonale të Tatim-Taksave sqaroi se vlerës së gjobës përveç vleftës së plotë të TVSH-së mbi mallin do t'i shtohet edhe gjoba mbi mallin e transportuar pa faturë tatimore. Drejtori Sula nuk bëri të ditur emrat e dy firmave që operojnë në sektorin e nxjerrjes dhe eksportit të kromit në vende të tjera, kamionët e të cilave u bllokuan dje në portin e Durrësit. Sipas të njëjtit burim, 10 kamionët me një ngarkesë të përgjithshme kromi prej rreth 400 ton u shkarkuan në kalatën lindore, në vendin ku ankorohen anijet që më pas transportojnë kromin drejt vendeve të tjera.