Guttenberg jep dorëheqje
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, dha dorëheqje nga funksioni i tij. Këtë e bëri të ditur në Berlin vetë ministri Guttenberg.
Më herët Guttenberg ishte konfrontuar lidhur me skandalin e plagjiaturës edhe me politikanë nga kabineti i qeverisë.
Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Thierse, ishte shprehur kundër deklaratës së kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, se ajo nuk ka vendosur një asistent shkencor, por një ministër.
Kancelarja ndau në njërën anë Guttenbergun si person privat dhe në anën tjetër Guttenbergun si ministër. Ish-kryeministri i landit të Saksonisë, Kurt Biedenkopf, e kritikoi qëndrimin e qeverisë lidhur me skandalin mbi plagjiaturën e ministrit.
Ai e mbështet plotësisht notën e protestës së nënshkruar nga rreth 30.000 shkencëtarë drejtuar kancelares Angela Merkel, tha politikani i CDU-së në televizionin ZDF.
Fillimisht kolegia e kabinetit të tij qeveritar, ministrja e Shkencës, Annette Schavan, kishte thënë se ky rast ishte një turp për Guttenbergun.
Edhe profesori Peter Haberle, udhëheqësi i doktoraturës së tij, u distancua hapur nga skandali i Guttenbergut.
Para bërjes publike të skandalit të plagjiaturës, Guttenberg konsiderohej si njëri prej politikanëve më të adhuruar në Gjermani dhe vlerësohej si kandidat i mundshëm për kancelar të Gjermanisë.