Pensionet, Banka Botërore: Kujdes skemën, krijon deficit
nertila maho
Mënyra sesi funksionon aktualisht sistemi shqiptar i pensioneve ka gjasa që në një periudhë afatmesme apo afatgjatë të kalojë në deficit. është ky vlerësimi i përfaqësueses së Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, mbi perspektivën e skemës së pensioneve në vendin tonë. Gjatë ditës së dytë të konferencës mbi Ekonominë e Zhvillimit, Nuamah inkurajoi palët politike të ngrenë çështjen e reformave te pensionet në debatet e tyre aktuale, duke qenë se vihet re një përmirësim i situatës. “Kjo gjë mund të trajtohet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Nuk është një formulë që mund ta vazhdosh deri në 2015-ën dhe pastaj ta rregullosh përmes reformave të tjera. Ne si përfaqësues të bankës jemi shumë të inkurajuar për këtë çështje dhe e kemi ngritur për diskutim, ndërkohë që me përmirësimet politike aktuale do të krijohen mundësi për të diskutuar dhe debatuar mbi këto reforma që duhet të ndërmerren”, tha përfaqësuesja e BB. Vlerësimi i saj nuk ishte i vetmi që lidhej me sistemin tonë të pensioneve. Edhe Ufuk Guven, përfaqësuese e skuadrës për Mbrojtjen Sociale pranë Bankës Botërore tha se reformat duhen ndërmarrë sot, në mënyrë që frytet të ndjehen në një afat të mesëm, por mbi të gjitha duhet një mjedis i përshtatshëm politik. “Ndoshta çështjet apo temat e pensionit s’janë shqetësuese për Shqipërinë sot, por do të vijë duke u bërë më të rëndësishme gjithnjë e më shumë, sepse Shqipëria është një popullatë e re. Me plakjen e popullatës dhe për shkak të papunësisë në tregun informal, të ardhurat do vijnë duke u ulur dhe duke qenë se shpenzimet do vijnë duke u rritur do të thotë që do të bëhet një çështje mjaft e rëndësishme në të ardhmen”, tha Guven. Përsa i përket uljes së përqindjeve të kontributit, ekspertja e Bankës Botërore u shpreh se çfarëdo që të bëhet për skemën e pensioneve do të kërkojë kohë që sistemi të reagojë. “Përqindjet më të ulëta për kontributet e pensionit janë në fakt praktika të mira, por do të duhet një farë kohe, në mënyrë që pjesëmarrësit potencialë të kenë ndikim. Mendoj se duhen bërë disa rregullime të strukturës së përftimit, në mënyrë që personat apo individët të dinë se do të shpërblehen në të ardhmen për atë që kanë paguar tani”, nënvizoi Guven. Nga ana tjetër, ajo vlerësoi sistemin e pensioneve si një kontribues të rëndësishëm në zbutjen e varfërisë në vendin tonë, për shkak edhe të pamjaftueshmërisë së ndihmës ekonomike.
INSTAT: Thellohet deficiti tregtar
Muaji prill rezultoi me thellim të mëtejshëm të deficitit tregtar. Krahasuar me marsin, vihet re një rritje 8.9 për qind çka në vlerë monetare përbën 25,7 miliardë lekë. Kurse krahasuar me një vit më parë, deficiti ka shënuar një përmirësim shumë të lehtë me vetëm 1 për qind ulje. Statistikat e INSTAT për Tregtinë e Jashtme të muajit prill nxjerrin në pah detaje mbi raportin eksport-import në vend. Kështu gjatë muajit të katërt të 2010-ës u eksportuan 12,5 miliardë lekë mallra, një ulje me 14.1 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje me 60.5 për qind, krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Ndërsa sa i përket importit, ai rezulton në vlerën 38,2 miliardë lekë mallra me rritje 0.1 për qind, në krahasim me mars 2010 dhe rritje 13.2 për qind, krahasuar me prill 2009. Sipas Institutit të Statistikave, partnerët tanë kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.