“Pensionet e profesorëve, sa do jetë përfitimi”
Kushtet që duhet të plotësojnë pedagogët e anëtarët e Akademisë së Shkencave për të përfituar pension suplementar shtetëror. Duke i bërë një interpretim të mirëfilltë ligjit të miratuar vitin e kaluar Agron Ahmetaj, drejtor i Drejtorisë së Përfitimeve, pranë ISSH-së, në një intervistë për gazetën shpjegon sa është masa e përfitimit për këto kategori dhe sa kontribute shtesë duhet të derdhin ata përpara se të plotësojnë moshën që kërkon ligji.
Cili është qëllimi i ligjit nr.10139, datë 15.5.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve e, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj”?
Ky ligj ka për qëllim që personave që kanë fituar titujt shkencorë, profesor dhe drejtues kërkimesh, (grupi i parë), apo profesor i asociuar dhe mjeshtër kërkimesh( grupi i dytë), t’u japë pensione suplementare shtetërore si të ardhura shtesë mbi përfitimet që jepen nga ligji 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë “, i ndryshuar.
Cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë si dhe shtesa e që përfiton kjo kategori?
Për të marrë këtë lloj përfitimi (pension suplemetar shtetëror), duhet që personat profesor dhe drejtues kërkimesh, (grupi i parë), apo profesor i asociuar dhe mjeshtër kërkimesh( grupi i dytë), të plotësojnë kriteret e pensionit të pleqërisë. Masa e pensionit suplementar do të jetë 1.3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë 1-vjeçare të ushtrimit të titullit profesor dhe 1.1 për qind e pagës refereuese për çdo periudhë 1-vjeçare të ushtrimit të titullit asistent profesor. Ligji ka vënë tavan për masën e përfitimit dhe shuma e pensionit suplementar bashkë me përfitimet nga pensioni i pleqësisë nuk mund të jetë në asnjë rast 4 herë më e madhe se sa katër pensione bazë pleqërie. Për sa i përket masës së pensionit suplementar, nuk mund të jetë asnjëherë më e vogël se 6 për qind e pagës refereuese.
Nga do të financohet kjo skemë?
çdo lloj përfitimi shtetëror suplementar që jepen sipas këtij ligji kanë dy burime financimi. Së pari, për të gjithë ata njerëz që kanë aktualisht një pension dhe janë mbajtës së titujve të përshkruara më sipër, burimi i financimit të këtij përfitimi do të jetë buxheti i shtetit. Ndërsa për të gjithë profesorët që janë në marrëdhënie pune dhe e drejta për përfitim nuk i ka lindur akoma, burimi i financimit do të jetë kontributi suplementar.
Kjo do të thotë se kjo kategori punonjësish do të derdhin kontribute suplementare?
Po, kjo është e vërtetë, ata do të paguajnë 3.5 për qind të pagës bruto mujore si kontribut suplementar, në rast se janë punonjës të institucioneve publike dhe 7 për qind të kësaj page kur janë të punësuar në institucione jopublike. Këtu më duhet të theksoj se për të gjithë personat që nuk kanë kontribuar dhe janë përfitues të një pensioni pleqërie, masa e pensionit suiplementar të tyre nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit që ata marrin, pasi financohet nga buxheti i shtetit.
A do të kenë indeksime këto pensione?
Edhe këto pensione indeksohen dhe rriten në përputhje me indeksimin dhe rritjen e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, që jepet nga ISSH.
Si do të merret ky përfitim?
Personat e interesuar do të paraqiten për të marrë informacionet e nevojshme tek Inspektori i Përfitimeve Suplementare në DRSSH, i cili fillimisht do të pajisë të interesuarin me skedën informative ku janë përshkruar të gjitha dokumentet e nevojshme për caktimin e përfitimit suplementar. Ndërkohë, personat që kanë dalë në pension pleqërie sipas ligjit nr.7703, para datës 1.1.2010 dhe vihen në kushte përfitimi sipas këtij ligji do të plotësojnë dhe do të dorëzojnë në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore kërkesën për pension suplementar. Kjo kërkesë do merret pranë Inspektorit të Përfitimeve Suplementare dhe do të plotësohet nga personi përfitues. Gjithashtu duhet të dorëzojnë fotokopjen e kartës së identitetit e nënshkruar nga personi emër, mbiemër, firmë. Një deklaratë personale sipas modelit, nëse merr ose jo përfitime nga skema të tjera suplementare shtetërore si dhe fotokopjen e noterizuar të dëshmisë për dhënien e titullit ose në mungesë një vërtetim për titullin shkencor, të lëshuar nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor ose nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve. Ndërsa pagat referuese janë ato të përcaktuara sipas tabelave të pagave të nxjerra me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Dokumentet:
1. Kërkesën për pension suplementar, modeli bashkëlidhur. Kërkesa do merret pranë Inspektorit të Përfitimeve Suplementare dhe do të plotësohet nga personi përfitues.
2. Fotokopje e kartës së identitetit e nënshkruar nga personi emer, mbiemër, firmë.
3. Deklaratë personale sipas modelit, nëse merr ose jo përfitime nga skema të tjera suplementare shtetërore.
4. Fotokopje e noterizuar e dëshmisë për dhënien e titullit ose në mungesë një vërtetim për titullin shkencor, të lëshuar nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor ose nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve.
5. Vërtetim për pagën referuese në fuqi, në momentin që lind e drejta, sipas radhës së gëzimit të titujve shkencorë.
6. Vërtetim nga qendra e punës për kontributet suplementare të paguara nga data 01.01.2010 deri në datën e lindjes së të drejtës.
7. Vërtetim nga DRSH për masën e pensionit të pleqërisë që përfiton sipas ligjit nr.7703.
8. Vërtetim nga DRSSH nëse përfiton ose jo pension suplementar shtetëror.
9. Vërtetim për kohën e gëzimit të titullit ( Modular P-10139 -04)