KE: Zgjidhja e krizës, stimul për vizat
Bashkimi Europian deklaron se heqja e vizave nuk do të varet nga situata politike në Tiranë, por i bën thirrje politikës shqiptare të gjejë zgjidhjen përpara vjeshtës, kur do të merret vendimi në Bruksel. Deklaratën e bëri dje pas samitit të Sarajevës, komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fule, sipas të cilit Komisioni nuk i ka ndryshuar rregullat për heqjen e regjimit të vizave me BE-në. “Rruga dhe lista e detyrave të caktuara që vendet duhet të përmbushin për të pasur shansin për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian pa viza është e qartë. Ne nuk i kemi ndryshuar rregullat e lojës. Ne nuk kemi shtuar ndonjë kriter politik. Komisioni qëndron në mbështetje të rekomandimeve që nëse përmbushen detyrat e caktuara, nuk do të ketë asnjë pengesë për qytetarët të udhëtojnë pa viza në BE. Tani fjalën e ka Parlamenti Europian dhe Këshilli i Evropës”, u shpreh komisioneri Fyle. Por në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, që të zgjidhin krizën përpara se Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të votojnë pro heqjes së vizave me Shqipërinë. “Shpresoj shumë që procesi në të cilin janë angazhuar udhëheqësit politikë në Shqipëri me synimin për gjetjen e një zgjidhjeje të ngërçit politik do të përfundojë para shqyrtimit të çështjes nga Parlamenti Europian, pasi do të jetë një stimul politik për të arritur një vendim të shpejtë dhe pozitiv në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian”, theksoi më tej Fyle.
Deklarata e BE
Në përfundim të Samitit të Sarajevës ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të Unionit dhe ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u miratua një deklaratë e përbashkët, në të cilën vlerësohet heqja e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. “Pjesëmarrësit përshëndetën synimin e BE-së për ta shtrirë liberalizimin e vizave te të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, sapo të jenë plotësuar kushtet. Në këtë drejtim, ata mirëpritën propozimin e Komisionit Europian për të shtrirë regjimin pa viza edhe tek shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnje–Hercegovinës”, thuhet në deklaratën për shtyp. Në të njëjtën kohë samiti vlerëson progresin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të anëtarësimit në BE, teksa u bën thirrje vendeve të rajonit të plotësojnë kriteret për të cilat kanë rënë dakord më parë. “Vendet e rajonit kanë bërë progres të rëndësishëm në reformat politike dhe ekonomike, çka e tregojnë bisedimet e vazhdueshme për anëtarësim, përgatitja e opinioneve mbi kërkesat për anëtarësim dhe krijimi i një rrjeti marrëveshjesh stabilizim–asociimi. Duke qenë i ankoruar mirë në procesin e zgjerimit të BE-së, Ballkani Perëndimor duhet të intensifikojë përpjekjet e tij për të përmbushur kriteret e nevojshme të përcaktuara dhe kushtet e rëna dakord në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Progresi i secilit vend do të jetë në vartësi të meritave të tij”, vijon më tej deklarata. Në të vlerësohet si sfidë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar si dhe reforma në administratë e drejtësi.
Moratinos: Sot,ditë historike
Duke folur në përfundim të Samitit të Sarajevës, ministri i Jashtëm spanjoll, Anguel Moratinos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, e vlerësoi ditën e djeshme si historike. “Takimi i sotëm mund të konsiderohet një ditë historike. Mendoj se sot Bashkimi Europian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor arritën një marrëveshje të re. Një marrëveshje për të ardhmen. Një e ardhme shprese, paqeje, një e ardhme e integrimit të plotë në Bashkimin Europian”, deklaroi Moratinos në përfundim të takimit që zgjati për tre orë. Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, Ashton.
Bild e Fratini: Ballkani, garanci për në BE
Ministrat e Jashtëm të Suedisë e Italisë kanë dhënë garanci se Bashkimi Europian do të ketë dyer e hapura për vendet e rajonit të Ballkanit. Italia e Suedia kanë kërkuar nga 27 vendet anëtarë që të konfirmojnë hapjen e dyerve për këto vende. “Ka disa vende anëtare të BE-së, ku entuziazmi për zgjerimin është rritur kohët e fundit në më tepër se 100 për qind. është e rëndësishme që kemi ardhur këtu për të konfirmuar dhe për të thënë se dera është e hapur”, është shprehur ministri i Jashtëm suedez, Carl Bild, ndërsa ministri Fratini është shprehur se “pres që Europa të mos ngurrojë në konfirmimin e angazhimit të saj”.
Ashton: Ballkani, e ardhmja në Europë
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Katherine Ashton, deklaroi se e ardhmja e Ballkanit do të jetë vetëm Europa. Në samitin e Sarajevës, Ashton ka theksuar se kjo konferencë është për t’i dhënë një impuls të ri këtij rajoni. “Konferenca e sotme është destinuar për t’i dhënë një impuls të ri procesit të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Ashton. Ajo është shprehur më tej se “marrëdhëniet mes vendeve të rajonit sot janë më të mira në krahasim me të shkuarën”. Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian është shprehur optimiste për procesin e integrimit për të gjithë rajonin.