E Diel, 1 Nëntor 2026

Gykata Administrative, Komisioni i Ligjeve shtyn miratimin e neneve

TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka shtyrë përsëri miratimin e neneve për pr/ligjin e ngritjes së Gjykatës Administrative. Shkaku në dukje për këtë shtyerje është bërë terminologjia e sjellë nga përfaqësuesit e Minsitrisë së Drejtësisë për disa nene, ku deputetët i vlerësuan si të pakuptimta.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli tha se deri ditën e hënë duhet të jetë gati një paketë e plotë amendimesh në mënyrë që të ecet me ritme më të shpejta pune.

“Ditën e hënë do i luteshim shumë edhe relatorit dhe përfaqësuesve të Ministrisë që të na e japin këtë mundësi”,- theksoi Rusmajli.

Ndërsa në emër të opozitës nënkryetari Fatmir Xhafaj gjithashtu kërkoi risjelljen e disa neneve pasi ato të paraqitura nuk janë të plota dhe nuk sqarojnë disa pika sic është dërgimi i cështjeve në Gjykatën e Lartë.

“Ato ka disa gjëra që janë të pakuptimta që i pashe dhe unë. Disa të dhëna që i kemi kërkuar që dje natyrisht nuk mund të pretendojmë ti kishim sot, por nesër mundësisht”,- deklaroi Xhafaj.

Në seancën e sotme Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm 3 nene, ndërkohë në total komisioni duhet të miratojë gjithsej 52 nene, para se pr/ligji të marrë provimin përfundimtar në sallën e Parlamentit.
(el.me/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›