“Pakti me Greqinë”, Topi: Do të vendos me dekret
Presidenti Bamir Topi beson tek mbrojtja e interesave kombëtare përmes marrëveshjes së nënshkruar mes Greqisë dhe Shqipërisë për ndarjen e ujërave territoriale. Z. Topi shprehu dje angazhimin e tij të plotë për transparencën e marrëveshjes detare me Greqinë, ndërsa vuri në dukje besimin ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke deklaruar se gjithçka do të jetë në mbrojtje të interesave kombëtare të vendit.
I pyetur për këtë çështje, gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij turk, Topi deklaroi se Presidenti mund të vendosë vetëm me dekret, pasi gjithçka të kalojë nga Kuvendi. Ai pohoi qartë se do të flasë për këtë çështje përmes dekretit. “Së pari, kam shprehur të gjithë angazhimin tim institucional për transparencë lidhur me këtë proces. Së dyti, kam thënë që duhet të respektojmë institucionet e Shqipërisë. Nuk jam shprehur gjatë procesit, sepse Presidenti në momentin që marrëveshja vjen nga Parlamenti, shprehet me dekret. Duhet të pres vendimin e gjykatës dhe do të shprehem në momentin që kam aksesin për t’u shprehur”, - deklaroi z. Topi. Kreu i shtetit përfundoi duke thënë se nuk mund të ndërhyjë në këtë proces, që do të vazhdojë të realizohet me korrektesë në mbrojtjen e interesave kombëtare. Komentet e tij Presidenti i bëri dje gjatë daljes para mediave me Presidentin e Turqisë, Abdulla Gyl. Presidenti Topi vlerësoi dialogun politik mes dy vendeve, si dhe theksoi se miqësia mes dy vendeve është e konsoliduar në shekuj. Duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shtrira kudo, kreu i shtetit kërkoi që ato të intensifikohen në interes të dy popujve.
"Vizita e Presidentit Gul zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, e cila është projektuar në mënyrë të qartë drejt rrugës së integrimit evropian. Klima e shkëlqyer e marrëdhënieve politike patjetër që ka imponuar në vite edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, si dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri", - tha Presidenti Topi. Kreu i shtetit theksoi se mes dy vendeve ka marrëveshje të shumta në funksion të zhvillimit ekonomik, por kërkoi që bashkëpunimi ekonomik të intensifikohet më tej, duke iu afruar nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike mes dy vendeve. "Kompanitë turke janë prezente prej vitesh në Shqipëri dhe kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Kompanitë turke janë sot të pranishme në Shqipëri në fushën minerare, të infrastrukturës, telekomunikacionit, turizmit, sistemit bankar etj.", - u shpreh Presidenti Topi.