Leku vazhdon të dobësohet përballë valutave të huaja
Leku, monedha vendase po vazhdon të dobësohet dita-ditës në tregun tonë të këmbimit. Gjatë kësaj jave dollari ka fituar rreth 3 pikë kundrejt lekut, ndërsa euro është forcuar me rreth 1 pikë. Kështu në agjencitë e këmbimit monedha amerikane blihet me 102.2 lekë dhe shitet me 102.8 lekë, ndërsa monedha e përbashkët evropiane këmbehet 129.3 lekë në blerje dhe 129.9 lekë në shitje. Euroja po i afrohet kështu nivelit maksimal të 130 lekëve, ndërsa dollari ka kaluar tashmë rekordin e 100 lekëve. Zhvlerësimi i monedhës vendase vijon tashmë prej disa javësh dhe sipas ekspertëve rënia e lekut është shkaktuar nga dy faktorë. Ekspertët argumentojnë se kjo ka ardhur në radhë të parë nga mungesa e valutës në treg, për shkak të rënies së dërgesave nga emigrantët, si pasojë e krizës globale. Dhe faktori i dytë është vendimi i Bankës së Shqipërisë, për të ulur me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun. Ekspertët vlerësojnë se zhvlerësimi i monedhës kombëtare është me pasoja për ekonominë e vendit, pasi pritet që të shtrenjtojë importet edhe nga ana tjetër janë prekur të gjithë individët dhe bizneset që kanë marrë kredi në valutë, pasi u duhet të paguajnë më shumë për të shlyer interesat mujorë. Në kushtet kur leku zhvlerësohet çdo ditë, askush nuk di të thotë se sa do të zgjasë kjo prirje. Ministri i Financave ka deklaruar pak ditë më parë se nuk duhet të shqetësohemi për zhvlerësimin e lekut, pasi kjo është një periudhë sezonale dhe do kalojë pa dhënë efekte negative në ekonomi.
Olldashi: Qeveria, 13 milionë euro investime në portin e Durrësit
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dje në Durrës tha se "gjatë tre viteve të fundit, në portin e këtij qyteti janë realizuar më shumë se 13 milionë euro investime nga qeveria shqiptare, si dhe nga vetë fitimet e Autoritetit Portual". Pas nënshkrimit të kontratës mes Autoritetit Portual dhe kompanisë finlandeze "Kalmar" për kryerjen e shërbimeve të mirëmbajtjes së mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale, ministri Olldashi në përgjigje të interesimit të gazetarëve tha se "projekti për përforcimin e sigurisë portuale, punimet e realizuara në kalatën 10, apo blerja e një vinxhi të ri për përpunimin e kontenierëve janë disa nga investimet e kryera gjatë këtyre viteve, pa harruar dhe projektin për terminalin e ri të trageteve me një vlerë prej 15.2 milionë euro nga BERZH dhe BEI". Ministri Olldashi theksoi se "MPPTT dhe ajo e Financave po rishohin paketën e tarifave portuale, mbi bazën e vërejtjeve të paraqitura për projektin nga operatorët portualë. Në përfundim të këtij procesi, tarifat që do të paraqesim do të jenë me siguri të pranueshme për të gjitha palët dhe nuk do të krijojnë pengesa për operatorët portualë në përgjithësi dhe për transportuesit në veçanti".
Sipas tij, porti i Durrësit gjithnjë e më tepër po kthehet në një strukturë moderne mjaft të rëndësishme për ekonominë tonë. "Pas përfundimit të rrugës Durrës-Kukës, porti i Durrësit do t'i shërbejë qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave jo vetëm nga Kosova, por edhe më tej", - tha ministri Olldashi.