Gjykata e Lartë i shpëton sërish imunitetin Fatmir Mediut
Laureta Rryçi
Gjykata e Lartë i ka shpëtuar sërish imunitetin Fatmir Mediut. Pas shqyrtimit të provave të depozituara nga dy dëmtuarët e tragjedisë së Gërdecit, për kolegjin penal nuk ekziston asnjë provë direkte apo indirekte që fajëson ish-ministrin e Mbrojtjes për akuzën e plagosjes me dashje. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë duket se u ka vënë kyçin njëherë e mirë të gjitha akuzave të ngritura ndaj ish-ministrit Mediu, duke marrë të njëjtën vendim për pezullim të padisë ndaj tij, njëlloj siç veproi në shtator të vitit 2009. Imuniteti që e lehtësoi Mediun në shtator nuk iu cenua as ditën e djeshme. I menjëhershëm ka qenë reagimi i familjarëve që kishin ngritur paditë. Ata u shprehën se përballë kësaj situate iu duhet të nisin betejën me Drejtësinë shqiptare që po mbyll sytë para fatkeqësisë së tyre, dhe jo më me zyrtarët që i dogjën për së gjalli. Ndërkohë, me ironi janë shprehur avokatët e Mediut, të cilët thumbuan institucionin e akuzës me të cilin e kanë fituar një betejë ligjore. Seanca e djeshme zgjati për disa orë, derisa u arrit në një vendim. Vetë ministri nuk ishte i pranishëm në seancë.
Vendimi
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë, që drejtohej nga relatori Andi Çeliku, vendosi dje të pushojë çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili u padit nga dy banorët e Gërdecit, të plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 marsit 2008. Sipas kolegjit penal, nuk ka prova që të vërtetojnë fajësinë e Mediut e, për pasojë, nuk mund të kërkohet heqja e imunitetit. Kështu, Gjykata e Lartë pushon për herë të dytë çështjen ndaj Fatmir Mediut, që për dy herë është akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Herën e parë imuniteti u kërkua nga Prokuroria dhe të dytën herë nga familjarë të të dëmtuarve nga tragjedia e 15 marsit që mori 26 jetë njerëzish. Familjarët kanë reaguar ashpër ndaj vendimit. Tani për ta beteja e re është ajo me Drejtësinë. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë arsyetoi se dosja me 400 faqe e dy personave nga Gërdeci që fajësojnë Mediun për dëmin që iu shkaktua nga shpërthimi i 15 marsit nuk ka asnjë provë që e fajëson dhe, si rrjedhim, nuk është me vend kërkesa për heqjen e imunitetit. Kolegji penal, i përbërë nga Andi Çeliku, relator i çështjes në Gjykatën e Lartë, Ardian Nuni, Irma Bala, Evgjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako, vendosën që të hedhin poshtë padinë voluminoze të palës së dëmtuar nga tragjedia e rëndë që mori 26 jetë njerëzish, Roxhers Durda 12 vjeç dhe Alketa Azizaj. Kolegji arsyetoi se në padi nuk kishte asnjë element dhe provë konkrete që fajësonte direkt Fatmir Mediun si përgjegjës për shpërthimin në Gërdec dhe se si rrjedhim nuk mund t’i kërkohet Parlamentit heqja e imunitetit. Mediu, që nuk ishte prezent në këtë proces, u përfaqësua nga avokatët e tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani. Visha, në një prononcim për mediat, tha se “me këtë vendim të Gjykatës së Lartë çdo pretendim ndaj Mediut mund të konsiderohet i kotë, pasi çështja është e mbyllur. Mund të ketë sërish kërkesa, por çështja u mbyll”.
Reagimi
Familjarët e viktimave, të pranishëm në proces, u shprehën se ky vendim është i padrejtë dhe se nuk do të ndalë betejën që në këtë rast do të jetë me Drejtësinë. Por, familjarët e viktimave, që nuk kanë reshtur së pretenduari për drejtësi, shprehen të revoltuar nga vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë.
Zamira Durda, që humbi djalin 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, shprehet se “vendimi i Gjykatës së Lartë ishte tërësisht i padrejtë. Por nuk ndalemi, do ta vazhdojmë betejën tonë me Drejtësinë”, - tha Durda.
Vetëm tri ditë më parë familjarët e dëmtuar i patën dorëzuar një dosje voluminoze prej 400 faqesh Gjykatës së Lartë. Sipas tyre, në to gjendeshin prova të mjaftueshme që provonin fajësinë e ministrit për dëmtimin e të miturit Roxhers Durda dhe Alketa Azizajt. Përmbajtja e dosjes u bë e ditur nga përfaqësuesit ligjorë të dy të dëmtuarve rëndë nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008. Sipas tyre, në dosje gjenden të gjithë urdhrat, vendimet, deklarimet e ish-ministrit, me të cilat pretendonin të vërtetonin ndaj tij akuzën e “plagosjes së rëndë nga pakujdesia“. Këto në të vërtetë ishin të njëjtat fakte që Prokuroria pati dorëzuar kohë më parë për ta vënë në bankën e të pandehurve ish-ministrin.
Gjykata e Lartë dhe dy proceset e mëdha, “Basha” e “Mediu”
Gjykatës së Lartë iu dha mundësia dy herë këtë vit që t’i rikthente opinionit publik besimin te Drejtësia. E megjithatë, kolegjet penale i kyçën njëherë e mirë dy dosjet më të mëdha, “Basha” e “Mediu”, pavarësisht se nuk u dha pafajësi. Precedenti i shumëpritur nuk u ligjërua. Seancat gjyqësore u mirëpërcaktuan nga axhendat e dy ministrave dhe u zhvilluan vetëm atëherë kur dëshiruan ata. Shembullorët e procesit që nuk munguan në asnjë seancë ishin vetëm prokurorët dhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit në procesin “Mediu”. Për të dyja dosjet u nis gjykimi gjatë këtij viti dhe të dyja patën të njëjtin fat: zgjatën vetëm pak kohë dhe u pushuan pa nisur gjykimi për ta. “Kolegji penal nuk mund të riparonte pavlefshmëritë e krijuara nga institucioni i akuzës”. Kështu shkruhet midis rreshtave të një prej vendimeve të argumentuara të Gjykatës së Lartë për çështjen në fjalë. Në këtë mënyrë, pesëshja e gjyqtarëve kanë larë ndërgjegjen me Drejtësinë duke ia kaluar përgjegjësinë tërësisht trupës së prokurorëve. Ndërsa dy vendimet e Kuvendit për heqjen e imunitetit s’i shërbyen kurrkujt.
Padia e fëmijës
Mes padive të banorëve të Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, më parë është shtuar edhe padia e një 10-vjeçari. I mituri R. Durdaj, në këtë proces civil do të përfaqësohet nga i ati i tij, Rigon Durdaj. Djali kërkon nga Drejtësia ta ndëshkojë ish-ministrin për shkak të plagëve që ka marrë ditën e tragjedisë më 15 mars të vitit 2088. “Më datë 15.03.2008, rreth orës 12:00, në fshatin Gërdec të bashkisë Vorë, dhe pikërisht në një fabrikë që çmontonte municionet luftarake, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 viktima, si dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe kërkuesi, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe është trajtuar në QSUT-në ‘Nënë Tereza’. Hetimi i kësaj ngjarjeje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhura në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe duke dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Përveç viktimave dhe plagosjeve, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një sërë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë”, - shkruhet në padinë e 11-vjeçarit.
2 Mars 2010