E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodër, sot 5700 ha nën ujë, ndërpriten shkarkimet në Fierzë



Ndërpriten shkarkimet e ujit në Hidrocentralin e Fierzës. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi dje për mbylljen e portave të shkarkimit të digës së Fierzës duke ndaluar kështu shkarkimet e lira të ujit. Por dje shkarkimet nga portat shkarkuese kanë vijuar në HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës. Sipas KESH-it, hidrocentrali i Komanit po shkarkon aktualisht 200m kub ujë/sekondë, ndërsa hidrocentrali i Vaut të Dejës po shkarkon 300m kub ujë/sekondë. Ndër të tjera, KESH-i njoftoi se edhe këto dy hidrocentrale pritet të mbyllin së shpejti portat e tyre të shkarkimit. Përmirësimi i kushteve të motit ka bërë që situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës të jetë e qëndrueshme. Sipas të dhënave nga Prefektura e qarkut, sipërfaqja e përmbytur llogaritet në 5700 hektarë tokë. Shirat e rrëmbyeshëm gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit shkurt, detyruan hapjen e portave të hidrocentralit të Komanit dhe Vaut të Dejës, mbi lumin Drin duke përmbytur disa fshatra. E njëjta situatë ndodhi edhe në ditët e para të janarit, kur qarku i Shkodrës u përfshi nga përmbytje masive si pasojë e hapjes së portave të hidrocentraleve të kaskadës mbi lumin Drin. Shtabi i Emergjencave raportoi dje se niveli i ujit ka shënuar rënie me rreth 20 cm, në një kohë që janë të përmbytura rreth 74 shtëpi. Komunikimi me komunën e Dajçit të Bregut të Bunës, pjesë e së cilës janë disa fshatra problematike, po bëhet përmes tokës me mjete të tonazhit të lartë, ç'ka po lehtëson punën e struktuarave të ushtrisë në zbatimin e planeve operacionale në përforcimin e argjinaturave të lumit Buna. Problem mbetet aksi rrugor i komunës Velipojë, ku në zonën e urës së Gjo Lulit, niveli i lartë i ujit nuk lejon kalimin e automjeteve. Ende i bllokuar nga ujit mbetet totalisht fshati Obot i komunës Ana e Malit, ku komunikimi vazhdon të bëhet me mjete lundruese, ndërkohë që vërehet një ulje e lehtë e nivelit të ujit mbi aksin rrugor Oblikë-Obot, ku me vështirësi kalojnë mjete të ushtrisë të tonazhit të lartë.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›