E Shtunë, 31 Tetor 2026

HIV/AIDS, 47 raste të reja, shumica janë meshkuj



Nga rastet e reja 33 janë meshkuj dhe 14 femra

Infektimi, mbizotëron rruga seksuale me 90.4%

Deri në tetor të këtij viti Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë ka identifikuar 47 raste të reja të infektuar me sëmundjen HIV/AIDS prej të cilëve 33 janë meshkuj. Sipas të dhënave të fundit të këtij institucioni, thuhet se aktualisht në vendin tonë numri total i rasteve me SIDA ka shkuar në 350, ndërsa grupmosha më e prekur është mbi 35 vjeç dhe mënyra e infektimit vazhdon të mbizotërojë me anë të rrugëve seksuale në 90.4% të rasteve.

Raporti

Janë të dhënat e fundit të derivuara nga ISHP-ja për situatën e kësaj sëmundjeje në vendin tonë. Sipas të njëjtave burimeve, thuhet se deri në tetor të vitit 2009 numri total i rasteve me HIV/AIDS është 350, nga ku në periudhën janar-tetor të po këtij viti janë 47 raste të reja. Që prej vitit 1993, kur u zbulua rasti parë me HIV, 99 persona kanë shfaqur AIDS dhe 56 prej tyre kanë vdekur. Meshkujt përbëjnë numrin më të madh të rasteve 69% (202 raste), por vërehet një rritje e numrit të femrave HIV pozitiv 31% (89 raste). Nga rastet e reja të diagnostikuar në vitin 2008, 15 prej tyre janë femra. Numri i fëmijëve të prekur nga infeksioni HIV është 17; 12 prej tyre janë infektuar nëpërmjet transmetimit nga nëna te fëmija dhe 5 nëpërmjet gjakut. 12 fëmijë trajtohen me terapi antiretrovirale pranë Shërbimit Pediatrik, ndërsa 5 të tjerë pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive për të rritur. Numri më i madh i rasteve i përkasin grupmoshave 25-34 vjeç me 71, 35-44 vjeç dhe 94 raste. Specialistët theksojnë se rruga e infektimit të këtyre personave vazhdon të mbizotërojë rruga seksuale 90,4%, me 3,8 % nga gjaku, 4,5% nga nëna si dhe 1% PDI.

Numri më i madh i rasteve u përket grupmoshave 25-35 vjeç (56 raste) dhe mbi 35 vjeç (91 raste), respektivisht me 32% dhe 53%.

Sëmundja

Vendi ynë prej vitit 2004 ka bërë të mundur sigurimin e medikamenteve antiretrovirale për personat që jetojnë me HIV. Mjekimi me antiretrovirale sigurohet falas për të gjithë personat që kanë nevojë. Ndërkohë, që nga viti 2007, me mbështetjen financiare të Fondit Global, u bë e mundur ngritja e qendrave të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar në disa rrethe (Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan). Ofrimi i këtij shërbimi ka ndikuar në rritjen e numrit të personave të testuar vullnetarisht. Të dhënat nga MSH-ja tregojnë se nga 250 persona të testuar vullnetarisht në vitin 2005, në vitin 2008 ky numër pothuajse është dhjetëfishuar, duke arritur në 2.184.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar zgjerimit të shërbimeve të ofruara për grupet vulnerabël, nëpërmjet forcimit të rrjetit të partnerëve dhe me pjesëmarrjen aktive të vetë grupeve vulnerabël. Sipas MSH-së, është vendosur një bashkëpunim i ngushtë me komunitetin rom, i cili ka për qëllim përmirësimin dhe shtrirjen e aktiviteteve të Informim-Edukim-Komunikimit jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa rrethe të tjera (Durrës, Berat, Pogradec, Lezhë, Shkodër, Fier, Elbasan).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›