E Shtunë, 31 Tetor 2026

HIV/AIDS jo më sëmundje e shekullit, por "kronike"

Sëmundja e shekullit nuk do të jetë më në listën e zezë të problematikave shëndetësore. HIV/AIDS do të konsiderohet që sot e tutje si sëmundje kronike. Një vendim i qeverisë, i miratuar dje, përshkruan mënyrat e parandalimit të kësaj sëmundjeje dhe njëkohësisht edhe trajtimin e pacientëve me këtë sëmundje.

Tanimë parashikohet rimbursimi i ilaçeve, ofrimi i shërbimit terapeutik, ndërsa nuk përmban të dhëna për rimbursimin e ilaçeve për efektet anësore të sëmundjes. Kërkesë kjo që është bërë kohë më parë nga Shoqata e Pacientëve me HIV/AIDS. Aktualisht, Shqipëria, vend me prevalencë 0.1 për qind të ulët të infeksionit HIV/AIDS, numëron mbi 250 raste, ndër të cilët rreth 16 janë fëmijë. Deri tani, numri i vdekjeve nga AIDS shkon në 54 raste. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë për një tendencë në rritje në 2-3 vitet e fundit të të prekurve nga SIDA, nga e cila grupmosha më e prekur është ajo e 25-45 vjeç.

Ligji i ri synon të fuqizojë masat parandaluese në popullatën e përgjithshme, shtresat vulnerabël dhe në grupet të cilat adaptojnë sjellje me risk të lartë, të mbështesë personat e infektuar dhe të evitojë çdo veprim diskriminues ndaj tyre, si dhe të mbështesë ata me shërbime të tjera shëndetësore. Objektivat specifikë fokusohen në iniciativat e parashikuara në fushën e shëndetit publik dhe konkretisht sëmundjet ngjitëse dhe transfuzionin e sigurinë e gjakut. Ligji i ri "Për kontrollin e HIV/AIDS-it", në ndryshim nga ai i vitit 2000, përforcon dhe detajon mënyrat për parandalimin e sëmundjes infektive, nëpërmjet një angazhimi politik, programeve publike dhe një strukture ligjore të detajuar. Ky angazhim, sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të sjellë qëndrueshmëri në çështjet e HIV/AIDS në nivel politik, një strukturë ligjore të kompletuar dhe të zbatueshme, zhvillimin e burimeve njerëzore, krijimin e një llogarie të veçantë për mbledhjen e fondeve, aktivizimin masiv të metodave informuese në popullatë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›